Këshilli Gjyqësor i Kosovës i është kundërpërgjigjur akuzave të kryeministrit Albin Kurti se kanë qëndruar në heshtje për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë javën e kaluar.
Në një reagim në faqen e KGJK-së në Facebook, të dyja institucionet kanë thënë se ato veprojnë si “institucione të përgjegjshme, të pavarura e profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore”.
Të premten, kryeministri Kurti në një shkrim në Facebook u shpreh se dy dorëheqje për rastin që tronditi opinionin nuk mjaftojnë. Ai vuri në pikëpyetje moralin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërsa përmendi edhe aktakuzat jo të fuqishme “që mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen” apo edhe që “gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi”. “Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin. Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq në kundërpërgjigje, KGJK-ja dhe KPK-ja kanë thënë se si institucione kompetente i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit.
I kanë bërë thirrje Qeverisë “që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim”.
“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sigurojnë opinionin se janë të vendosur për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera pa përjashtim”, përfundon reagimi i KGJK-së dhe KPK-së.
Për rastin që tronditi vendin janë arrestuar pesë persona. Të gjithëve u është caktuar nga një muaj paraburgim.