Ka përfunduar remonti i rregullt në njësinë prodhuese B2 të termocentralit Kosova B dhe është sanuar problemi i rrjedhjeve të ujit në njësinë A3 të termocentralit Kosova A, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës të enjten, për të treguar se tashmë të dyja po prodhojnë rreth 390 megavatë për orë.
Në njoftimin e KEK-ut thuhet se B2 tashmë po prodhon rreth 260MWh, ndërsa A3 me rreth 130 MWh. KEK-u ka thënë se synon t’i përfundojë remontet e rregullta në njësitë tjera që në fillim të sezonit dimërorë të operojë me nga dy njësi të termocentraleve me kapacitet prej rreth 800MWh.
Siç ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, të katër blloqet që janë në funksion prodhojnë totalisht afër 800MWh.
ME-ja ka thënë se kthimi i dy blloqeve luan rol kyç në përmirësimin e situatës energjetike në vend. Megjithatë sërish ka bërë thirrje për kursim të rrymës.
Ditëve të fundit qytetarët po përballen me mungesë të theksuar të energjisë elektrike. Në arsyetim të KEDS-it është thënë se furnizimi po bëhet vetëm me prodhim vendor e se nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.