Arbëri

Shala: Komisioni profesional do të na përballë me realitetin për dhunimet

Komisioni profesional kundër dhunës në familje i formuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë do të ketë mandat të analizojë faktorët socialë e ekonomikë që çojnë në situata të dhunimit dhe do të shikojë si janë përgjigjur institucionet në raste të tilla në të kaluarën, ka thënë zëvendësministrja Nita Shala në emisionin "60 Minuta" në KTV të mërkurën.

Shala ka thënë se komisioni i përbërë nga ekspertë do të shikojë procedurat ligjore që janë ndjekur në një rast dhunimi.

“Komisioni do të fokusohet që nga aktakuzat e ngritura në prokurori për rastet e ngjashme dhe do shikojë rrjedhën e të njëjtave, nëse është parashkruar vepra, nëse është vendosur të mos procedohet tutje, nëse kemi vendim ndëshkues për dhunuesit, dhe çfarë politike ka ndjekur gjykata në rastin e ndëshkimit”.

Shala tha se komisioni do të pasqyrojë punën e gjykatës në trajtimin e rasteve të dhunës.

“Sfidën kryesore që hasim përveç numrit shumë të ulët të rasteve të tilla që kanë aktakuzë të konfirmuar, kemi edhe situatë e një politike ndëshkimore që nuk ndjen standardin e njeriut të arsyeshëm sa I përket ndëshkimit në raste të tilla. Komisioni profesional do t’i analizojë të njëjtat dhe do të na përballë drejt një realiteti se ku qëndrojmë, cilat janë sfidat. Do të jetë pasqyrë e goxha e kompletuar e punës së gjykatës në këtë fenomen”, tha ajo.

“Raporti nga komisioni do të na ndihmojmë të ndërmarrim veprime në aspektin e politikave publike që janë të bazuara në studim”.

Ndërsa, raporti që do të nxirret nga komisionit, tha Shala, do t’i ndihmojë gjyqtarët dhe prokurorët të kuptojnë se ku qëndrojnë me mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve.

Shala theksoi se në praktikë shpesh gjykata ka treguar se ka qenë “bujare sa i takon dhunuesve dhe në aspektin e dhënies së një dënimi sa më të lehtë”.