Arbëri

ME: Konsumatorët e lidhur në linjën e bizneseve do të mbrohen nga reduktimet

Konsumatorët e lidhur në linjën e bizneseve nuk do të jenë pjesë e reduktimeve të energjisë elektrike.

Ministria e Ekonomisë njoftoi se për shkak të krizës energjetike sektori i industrisë së vendit ka pësuar pasoja, për çka edhe do të mbrohen nga reduktimet.

“Duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ (MZhE) Nr. 04/2017 mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente, si dhe me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, në veçanti të sektorit të industrisë, Ministria e Ekonomisë ka marrë vendim që konsumatorët me dalje të dedikuara për biznese të hyjnë në listën e konsumatorëve të mbrojtur”, thuhet në komunikatën e ME-së.

ME njoftoi se këta konsumatorë që nga fillimi i kësaj jave do të përjashtohen nga reduktimet e energjisë elektrike për aq sa është e mundur nga ana e Furnizuesit të Shërbimit Univerzal (FShU).

Megjithatë, ministria ka lutur bizneset që të kursejnë energjinë sa të munden. Ajo ka paralajmëruar se gjatë dimrit mbrojtja e bizneseve mund të jetë e pamundur.

“Megjithatë, duke pasur parasysh situatën e rënduar energjetike, lusim të gjithë bizneset që të kursejnë energjinë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të evituar rritjen e konsumit. Rritja e dukshme e konsumit rrezikon ta bëjë të pamundur mbrojtjen e këtyre konsumatorëve gjatë muajve të dimrit”, paralajmëroi ministria.