Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se po qe se Qeveria do të zhvillonte dialog social me sindikalistët, mësimdhënësit nuk do të hynin në grevë.
Duke folur rreth grevës së përgjithshme që nisi të enjten nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Hykmeti ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se sindikatat po ndihen të refuzuara.
“Konsideroj që nëse qeveria nuk ka mjete të mjaftueshme buxhetore për t’i përmbushur kërkesat e mësimdhënësve, me dialog social do të gjendej një zgjidhje. Kemi vitin e dytë të qeverisjes së LVV-së dhe ende nuk po shihet asgjëkund Ligji i Pagave. Ne prej fillimit kemi kërkuar që meqë kemi realizim më të madh të të hyrave si rezultat i inflacionit, duhet të bëhet indeksimi i pagave të paktën në sektorin publik, bazuar në normën inflacore. Nëse qeveria nuk mundet ta sjellë ligjin, ministri i Financave, dhe të tjerë duhet të ulen dhe të kenë një dialog social. Mësimdhënësit tanë që një dekadë të tërë kanë punuar nën tytën e automatikun pa paga, ata s’do ta kishin problem ta kuptonin gjendjen nëse do të ftoheshin në dialog. Sindikatat po ndihen të refuzuara”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka shtuar se LDK-ja nuk e përkrah mosfillimin e vitit shkollor më 1 shtator, por i kupton edhe kërkesat e sindikalistëve për shkak të goditjes nga inflacioni.
“S’mund të them që ne e përkrahim që të mos fillojë viti më 1 shtator, dëshirojmë që të ketë mbarëvajtje të procesit mësimor. Kemi një vit që jemi goditur nga inflacioni, që sipas Bankës Botërore është mbi 19%. Pagat e sektorit publik janë zhvlerësuar për diku 20%. Jeta është bërë e papërballueshme për të gjithë”, ka theksuar ajo.