1 perditesime
21:10

Kajari: S’ka rrezik për luftë, NATO shton trupat për kohë të shkurtër kurdo

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari, ka qenë i qartë sa i përket asaj nëse ekziston rrezik lufte në Kosovë.

“Përgjigja më e thjesht është jo. Mendoj se lufta nuk është çështje relevante, besoj unë. KFOR-i nuk ka parë asnjë lloj indikacioni për një ngjarje të tillë. Nuk ka kërcënim për luftë në këtë pjesë, NATO dhe KFOR-i janë këtu”.

“NATO për një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, por nuk është mirë të flitet për luftë, këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”, tha Kajari.

Sa i përket aktivitetit grupeve kriminele serbe në veri, Kajari tha se KFOR-i e përcjell me kujdes aktivitetin në brenda atyre zonave.

“Ne i përcjellim aktivitetet e të gjitha grupeve të cilat veprojnë brenda zonës tonë të operimit dhe kjo do të thotë që jemi në përcjellje të gjitha deklaratave të tilla”, tha ai dhe shtoi se Rezoluta e mandaton KFOR-in që të ruajë situatën e sigurisë në Kosovë, dhe ai do të veprojë për të siguruar një mjedis të sigurt.

“Ne do t’i përdorim të gjitha kapacitetet tona sipas nevojës për të rikthyer dhe për të ruajtur situatën e sigurisë. KFOR-i i ka gjitha të kapacitetet e nevojshme dhe resurset e duhura, si dhe mandatin për të vepruar kundrejt të gjitha grupeve që mund ta kërcënojnë sigurinë në gjithë zonën”, tha Kajari për RTK.

Ai tha se KFOR-i nuk bën arrestime të individëve, sepse nuk është nën mandatin e tyre. Por nëse paraqitet nevoja për të reaguar ndaj grupeve të dhunshme që rrezikojnë sigurinë, atëherë KFOR-i gjithsesi ka të drejtë të ndalojë ata që i rezistojnë aktivitetet e KFOR-it, tha ai.

“Detyrë primare e KFOR-it është parandalimi i dhunës dhe krijimi i kushteve të favorshme për negocim. Nëse shohim rritje të tensioneve dhe negociatat të mos jenë të suksesshme, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, tha ai.

Komandanti i KFOR-it tha se, në rast se individë të caktuar pengojnë aktivitetin e KFOR-it, do t’i ndalonin ata dhe do t’i dorëzonin tek autoritetet përkatëse.

Ai foli edhe për grafitet në veri të Kosovës dhe pohoi se në rast të rrezikimit të sigurisë, KFOR do të vepronte dhe për këtë mbledh fakte.

“Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është i rregullt dhe mjaft i mirë dhe ata koordinojnë aktivitet në terren si dhe disa patrullime të përbashkëta”, tha Kajari.

Sipas tij, KFOR-i ka resurset e veta dhe po monitoron me kujdes situatën në vijën kufitare administrative dhe nuk kanë vërejtur diçka të veçantë e se nuk ka evidentuar asnjë aktivitet të pazakontë./ RTK

18:57

Komandanti i KFOR-it: Barrikadat nuk ndihmojnë në zgjidhjen e situatës, s’lejojmë trazira

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari, ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore të vendit është qetësuar pas ngjarjeve të fundit, teksa ka thënë se pret që negociatat që janë në vazhdim të rezultojnë me një marrëveshje.

Kajari në një intervistë për RTK-në ka pohoi se KFOR-i e ka rritur praninë e vet në veri duke thënë se nuk lejon trazira.

“KFOR-i ka vendosur pikat e vrojtimit dhe pikat e kontrollit teknik në të gjithë hapësirën. Po ashtu, kemi rritur edhe aktivitetin patrullues në gjithë rajonin. Këto masa janë marrë për të qenë në gjendje për çfarëdolloj incidenti dhe për një siguri më të madhe. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, ka thënë Kajari për Radiotelevizionin Publik.

Ai ka thënë se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, që ai i ka quajtur detyra madhore: ‘Për ta mbajtur mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët’.

“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka theksuar Kajari.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij “vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës”.