Arbëri

Rafuna: Ndërprerjet e rrymës, kosto shtesë për bizneset

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se kriza energjetike paraqet problem të madh te bizneset, duke shtuar se ndërprerja e rrymës do të thotë kosto shtesë për bizneset.

I ftuar të hënën në emisionin 60 Minuta në KTV, Rafuna ka thënë se nëse do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për bizneset, do të ketë rritje në të gjitha produktet.

“Ndërprerja e energjisë elektrike paraqet kosto ekstra për biznesin. Nëse aktivizon gjeneratorët, siç ma përshkroi një biznes i gastronomisë sot, ekstra pesë mijë euro në muaj i shkojnë vetëm për shkak të aktivizimit të gjeneratorit, d.m.th është një kosto ekstra që biznesi duhet ta paguajë. Më pas kemi shumë biznese prodhuese në Kosovë që ma kanë shprehë shqetësimin se nuk mund t’i aktivizojnë disa pajisje të prodhimit me gjeneratorë për shkak mosstabilitetit të tensionit që e merr prej tensionit. Ne në Odë nuk kemi parë një dokument që dëshmon se do të ketë rritje të energjisë elektrike për bizneset, kemi dëgjuar përmes mediave, nëse do të ketë shtrenjtim për bizneset do të ketë rritje në të gjitha produktet”, ka thënë Rafuna.

Ai ka kërkuar nga institucionet që të gjejnë mënyrën që bizneset të përjashtohen nga shtrenjtimi i rrymës.

“Duhet gjetur mënyrën që biznesin ta përjashtojnë nga rritja e energjisë elektrike, kemi shumë praktika nga shumë vende të BE-së, ose kanë lëshuar në qarkullim subvencione ku vetë shteti e mbulon pjesën e ngritur të energjisë, po ashtu kemi rastin e Gjermanisë ku edhe qytetarët po subvencionohen për pjesën e energjisë së ngritur. Unë lusë institucionet e vendit që mos të bëjnë një rritje të tillë pa u ulur me bizneset dhe pa marrë një qëndrim të tyre”, ka thënë ai.

Sipas Rafunës, është shënuar ulje e sasisë së mallrave të importuara, ndërsa ka rritje të vlerës së mallrave.

“Kemi ulje të sasisë së mallrave të importuara, automatikisht i bie se ka ulje të konsumit pasi zvogëlohet kërkesa për konsum, ndërsa kemi rritje të vlerës së mallrave, për 17 për qind si sasi është më pak, ndërsa si vlerë shkon deri në 34-5 për qind më e lartë dhe kjo nënkupton se ne e kemi importuar një inflacion, më pas kjo vlerë e inflacionit bartet te konsumatori i fundit”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se bizneset operojnë me një qarkullim të sasisë shumë më të vogël se ç’ka qenë më parë.

“Ndihma nga ana e institucioneve të vendit për shkak të pandemisë ka qenë shumë e vogël andaj edhe ka rënë fuqia e konsumit dhe bizneset nuk e kanë më atë qarkullimin dhe fitim që e kanë pasur, e kanë shumë më të vogël”, ka thënë ai.