Arbëri

Pacientët me sëmundje reumatike pa barna, institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës

46 pacientët me sëmundje reumatike e kaluan edhe një ditë pa barin Etanercept.

Kjo, pasi një ditë më parë Klinika e Reumatologjisë ua shpërndau sasinë e fundit 64 pacientëve të parë që ishin paraqitur në repart.

Pasi ky medikament është terapi javore dhe jepet me dy doza, javët në vijim pa të rrezikojnë të mbesin gjithsej 110 syresh.

KOHA të enjten ka raportuar se në pamundësi për të bërë furnizim të rregullt, shkaku i afatit të skadimit të barnave, sipas ligjeve të Kosovës, kompania “Santefarm”, e kontraktuar nga SHSKUK-ja, kishte tentuar që zgjidhjen ta gjente duke e ofruar atë si donacion, njëjtë si kishte vepruar një javë më parë. Por, këtë radhë, si pretendojnë në këtë kompani, MSH-ja nuk ia kishte lejuar importin.

E, në Ministrinë e Shëndetësisë të premten kanë thënë se lejet e importit lëshohen nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore.

Në këtë ministri përgjigje nuk kanë dhënë për origjinën dhe afatin e skadimit të ilaçit të pranuar herën e parë.

“Çdo donacion kalon dhe shqyrtohet përmes Komisionit të donacioneve. Kjo do të thotë se në secilin rast, secili donacion duhet të jetë i kompletuar me dokumentacionin përkatës, siç kërkohet në ligj. Çdo donacion që i plotëson kriteret e përcaktuara ligjore merr lejen e importit”, thuhet nga MSH-ja.

Pyetjet se si i është lejuar kësaj kompanie importimi i barnave si donacion për herë të parë dhe pse i është ndaluar një gjë e tillë për herë të dytë, KOHA i ka drejtuar edhe te AKPPM-ja, por gjatë ditës nuk ka pranuar sqarime.

E në SHSKUK kanë njoftuar se vetëm në vitin 2022 Autoriteti Kontraktues u ka shqiptuar dënime 75 operatorëve ekonomikë që nuk e kanë liferuar mallin në harmoni me kontratën.

“AK-SHSKUK- ka ndërprerë kontrata për ata operatorë që kanë dështuar të realizojnë kontratën dhe në harmoni me ligjin iu ka konfiskuar sigurimi i ekzekutimit të kontratës. Gjithashtu AK-SHSKUK ka futur operatorë ekonomikë në listë të zezë dhe disa i ka rekomanduar për listë të zezë për të cilët jemi në pritje të vendimit të OSHP-së. Ju bëjmë me dije se shumica e kontratave realizohen në harmoni me ligjin nga operatorët ekonomikë. Mirëpo, disa OE kanë pasur probleme të realizimit të tyre nga disa prodhues që kanë pasur implikime nga pandemia dhe lufta në Ukrainë”, thuhet nga SHSKUK-ja.

SHSKUK-ja nuk ka treguar se për cilat kompani bëhet fjalë dhe nëse ndër to është edhe kompania përgjegjëse për sigurimin e barit Etanercept, për të cilën dje ka konfirmuar se ka vonesa në liferime.

KOHA ka pyetur SHSKUK-në edhe për gjendjen aktuale të furnizimit me barna në Barnatoren Qendrore të QKUK-së dhe se cilat barna të tjera mungojnë, por nuk ka marrë përgjigje.

Pacientët me sëmundje reumatike me mungesë të barit janë përballur edhe në muajt dhe vitin e kaluar. Pa medikamente të rëndësishme shpeshherë mbesin edhe pacientët e Onkologjisë.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë sqarime nëse ka kërkuar ndonjëherë përgjegjësi nga menaxhmenti i SHSKUK-së për mungesë të barnave.