Arbëri

Nagavci: Punëtorët e arsimit janë trajtuar me kujdes në projektligjin e pagave

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Qeveria që nga fillimi e ka prioritet arsimin.

Në një postim në Facebook ka shkruar se për këtë arsye, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë në Projektligjin e pagave, i cili tanimë është diskutim paraprak.

Ajo ka thënë se me rastin e hartimit të Projektligjit janë marrë për bazë rekomandimet e MASHTI-t, si dhe janë trajtuar edhe ato kategori të punëtorëve të arsimit të cilat ishin lënë anash në ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

Nagavci ka thënë se ky projektligj dallon shumë nga i ligji i mëhershëm, ndërsa efekti i drejtpërdrejtë i tij do të jetë përmirësimi i pozitës së punëtorëve të arsimit, motivimi i tyre për performancë sa më të mirë dhe drejtësi e barazi.

“Ndër të tjera, Projektligji i pagave sjellë: -Koeficientë të dinjitetshëm për punonjësit e arsimit të të gjitha niveleve, trajtim të barabartë të mësuesve klasorë dhe mësimdhënësve lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, shtesa në paga në bazë të kualifikimit dhe përgjegjësve menaxheriale, përcaktim të vlerës së koeficientit në bazë vjetore, transparencë të plotë të pagave në sektorin publik, angazhimi i të gjithë neve duhet të jetë te fillimi i suksesshëm i vitit të ri shkollor me 1 shtator”, ka shkruar ajo.