Ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në një intervistë për “The Pavlovic Today”, ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte ai që kishte negociuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Marrëveshjen e Washingtonit, e jo kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti.
“Jam i bindur se njerëzit në Kosovë do të ishin në paqe nëse Thaçi do të ishte ende president. Do të kishin po ashtu bashkëpunim të madh ekonomik me fqinjët dhe më tepër vende pune për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, ka thënë Grenell. “Marrëveshja e gjitha ishte negociuar nga Thaçi, Hoti nuk kishte negociuar pjesën më të madhe të saj”.
Marrëveshja e Washingtonit ishte nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, nga kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq.
Grenell ka akuzuar kryeminsitrin e tashëm të Kosovës, Albin Kurti, duke e quajtur radikal.
“Tas e kemi këtë djalin radikal Kurtin. Sipas një burimi i të besueshëm në dhomë gjatë bisedimeve për targa, Kurti në mënyrë të njëanshme refuzoi njohjen e ndërsjellë të targave. Është e frikshme se njerëzit nuk e ndajnë Kosovën nga Kurti”.
Grenell ka thënë se situata Kosovë – Serbi po përmirësohej në kohën e administratës Trump.
“Të dyja palët po flisnin rregullisht njëra me tjetrën dhe Shtëpia e Bardhë, po bënte përparim nën Trumpin. Nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik. Tash jo vetëm që nuk po flasin të dyja palët, nuk po përparojnë, në fakt janë kthyer prapa në gjendje krize. Nuk ka asnjë në Shtëpi të Bardhë që po e sheh këtë. Bideni pëlqen të ketë evropianë në drejtim. Dhe shiko çfarë ndodh kur evropianët janë në drejtim”, ka thënë Grenell.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.