Arbëri

Prezantohet strategjia për zvogëlimin e numrit të qenve endacakë

Zëvendëssekretarja e MAPL-së, Venera Qerkini, ka deklaruar se afati për realizimin e saj është 7 vjet, në mënyrë që komunat të kenë kohë për ta realizuar. “Strategjia parasheh një afat 7-vjeçar me qëllim që komunave t’u jepet një hapësirë e mjaftueshme për të realizuar planin e veprimit, ku pastaj Qeveria e merr si obligim që ta bëjë analizën e buxhetit shtesë, për realizimin e këtij aktiviteti mjaft të rëndësishëm”, ka thënë ajo

Zvogëlimi i numrit të qentë endacakë, ndalimi i braktisjes nga pronarët dhe shitja në mënyrë të pakontrolluar parashihen në draft-strategjinë e publikuar të martën nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Tek e ka prezantuar këtë draft-strategji, zëvendëssekretarja e MAPL-së, Venera Qerkini, ka deklaruar se afati për realizimin e saj është 7 vjet, në mënyrë që komunat të kenë kohë për ta realizuar.

“Strategjia parasheh një afat 7-vjeçar me qëllim që komunave t’u jepet një hapësirë e mjaftueshme për të realizuar planin e veprimit, ku pastaj Qeveria e merr si obligim që ta bëjë analizën e buxhetit shtesë, për realizimin e këtij aktiviteti mjaft të rëndësishëm”, ka thënë ajo.

Zv.sekretarja Qerkini ka folur edhe për atë që synohet me këtë draft-strategji.

“Qëllimi i kësaj strategjie është që të bëhet parandalimi i përhapjes së sëmundjeve infektive dhe zoonetike, si dhe zvogëlimin e qenve endacakë në rrugë, të parandalohet braktisja e qenve nga pronari i tyre, ndalimi i mashtrimit dhe shitjes së pakontrolluar të qenve”, ka shtuar ajo.

Krahas tyre, qëllim tjetër i kësaj strategjie, sipas kryesueses se grupit punues, Teuta Fazliu, është edhe ndarja e përgjegjësive mes organeve kompetente, ashtu që të ndihmohet në menaxhimin më të mirë të këtij problemi.

“Gjithashtu, kjo strategji ka për qëllim të koordinojë veprimet dhe detyrat e institucioneve relevante dhe përgjegjëse për menaxhimin dhe kontrollin efektiv të numrit të qenve me dhe pa pronarë, në mënyrë që të adresohet dhe të zgjidhet problemi me shtimin e numrit të madh të qenve në rrugë”.

Sadik Heta, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka thënë se zhvillimi i kornizës ligjore është njëra ndër komponentët me ndikim në menaxhim të këtij problemi, ndërsa ka përmendur pesë objektivat kryesore.

“I kemi pesë objektiva: Zhvillimi i një mjedisi të përshtatshëm për menaxhimin e qenve, zhvillimi i një kornize gjithëpërfshirëse ligjore në menaxhimin e popullsisë së qenve, rritja e interesimit publik dhe promovimi i pronësisë së përgjegjshme, përkujdesja mjekësore veterinare, si dhe përmirësimi i shërbimeve komunale në menaxhim të popullsisë së qenve”, ka cekur ai.