Ankesat dhe akuzat në adresë të Qeverisë së cilës i takojnë, zyrtarët e Listës Serbe i kanë shpalosur nga kryeqendra e Serbisë.
Kryetarët e katër komunave veriore të udhëhequr nga shefi i këtij subjekti, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Goran Rakiq, kanë shpalosur qëndrimet e vendeve të QUINT-it nga takimet e zhvilluara ditët e fundit.
Temë qendrore, sipas tyre, ka qenë situata e serbëve në Kosovë, në pritje të zbatimit të vendimit të Qeverisë për reciprocitetin në letërnjoftime dhe targa.
Kryetari i Listës Serbe ka thënë se kurrë nuk do t’i pranojnë vendimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës.
“Në takimin që zgjati më shumë se dy orë mesazhet kryesore të ambasadorëve të QUINT-it ishin se vendet e tyre mbështesin pavarësinë e Kosovës, mbështesin edhe vendimet që merr Prishtina. Ata veçanërisht theksuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe vendimin për ta prezantuar një lloj dokumenti në hyrje-dalje, i cili do t'u lëshohej serbëve kur hyjnë apo dalin nga Kosova. Por, të jeni të sigurt se ne nuk do të marrim pjesë në këtë dhe nuk do të mbështesim asnjë lëvizje të njëanshme, e sidomos nëse dikush na i heq targat”, tha Rakiq.
E drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se situata aktuale është e disfavorshme për Serbinë para takimit në Bruksel.
“Nëse para krizës ukrainase situata në Kosovë dhe Metohi ishte jashtëzakonisht e vështirë, më duket se sot është 10 herë më e vështirë. Dhe Albin Kurti e përdor këtë pothuajse në çdo intervistë, në çdo mesazh, që të sulmojë presidentin Vuçiq, për të sulmuar Beogradin, për të shpikur dhe për të thënë se përmes Beogradit Rusia ushtron ndikimin e vet në Ballkanin Perëndimor. Por për një vit e gjysmë, aq sa flet Albin Kurti çdo ditë, kemi parë se i vetmi që shkon në drejtim të lëvizjeve militante dhe dhunës është Albin Kurti”, tha Petkoviq.
Lidhur me nisjen e zbatimit të reciprocitet dhe për pikat kufitare në veri ka folur kryeministri Kurti në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe.
Sipas tij, pas 1 shtatorit ose do të ketë lëshim të dokumenteve siç bën Serbia me shtetasit e Kosovës, ose të dyja vendet do t’i heqin këto dokumente të përkohshme.
“I kam thënë (presidentit serb, Aleksandar Vuçiq v.j.) pranoji dokumentet, më tha jo se kështu e pranoj pavarësinë e Kosovës. Edhe pse kjo nuk është e vërtetë, pasi edhe Rumania, Sllovakia e Qiproja nuk e njohin pavarësinë, por dokumentet e Kosovës po”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, Beogradi është i frikësuar se serbët në Kosovë po e pranojnë realitetin.
Vendimi i Qeverisë për reciprocitet hasi në rezistencë të serbëve, të cilët më 31 korrik bllokuan pikat kufitare drejt Jarinjës dhe Bërnjakut.
Pas kërkesës së ambasadorit të SHBA-së, Jeffrey Hovenier, Kurti e shtyu zbatimin e vendimit për këto dy pika deri në shtator.
E, nga opozita e kanë kritikuar Kurtin për dramatizim të situatës. Sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, si Kurti ashtu edhe Vuçiqi po synojnë një krizë artificiale.
“NATO-ja e prirë nga Amerika nuk do të lejojë destabilizimin e Ballkanit. Është një retorikë artificiale e Kurtit dhe Vuçiqit. Krejt halli i tyre është me mbulu, marren me një marrëveshje ku zotohen se nuk e sulmojnë njëri-tjetrin”., tha Haradinaj.
Këtë të enjte nën ndërmjetësimin e Brukselit pritet të takohen kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, ku do të diskutohet lidhur me zhvillimet e fundit dhe procesin e deritashëm në dialog.