Arbëri

Mbi 500 raste të dhunës në shkolla, kërkohet shtimi i sigurisë në institucione arsimore

 

Më shumë se 500 incidente janë raportuar në objektet e institucioneve arsimore dhe përreth tyre gjatë vitit shkollor 2021-2022. Bazuar në të dhënat e Policisë, sivjet është regjistruar rritje e incidenteve të dhunshme krahasuar me katër vjetët paraprakë. Ndonëse asnjë rast nuk ka përfunduar me fatalitet, nxënësit kanë vlerësuar se siguria në institucionet arsimore nuk është në nivelin e duhur. Njohësit e çështjes së sigurisë kanë thënë se nevojitet rritja e pranisë së forcave policore në institucionet arsimore

549 incidente në dhe përreth objekteve të institucioneve arsimore janë evidentuar gjatë vitit shkollor 2021-2022, shifër kjo që bazuar në të dhënat nga Policia përbën rritje krahasuar me katër vjetët paraprakë.

Prej 477 incidenteve të raportuara gjatë vitit 2018 dhe 490 në vitin 2019, më 2020 Policia ka regjistruar 221 incidente, ndërsa më 2021 pothuajse dyfish më shumë, 413 raste të dhunës. Rënie në shifra ka pasur vetëm gjatë periudhës së pandemisë, kur procesi mësimor zhvillohej kryesisht nga distanca.