Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike, ka bërë të ditur se paralajmërimet janë nxitur si pasojë e frikës dhe e shqetësimeve të ngritura te bizneset, shkaku i propozimit nga KESCO-ja. Në propozimin e furnizuesit, ndërkaq, nuk është e ditur nëse nga ngritja do të preken edhe bizneset
Propozimi i adresuar të premten nga furnizuesi me energji elektrike, KESCO, për dyfishimin e çmimit të rrymës ka gjeneruar të shtunën paralajmërime për ngritjen pasuese të çmimeve edhe në produkte të tjera.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike, ka bërë të ditur se paralajmërimet janë nxitur si pasojë e frikës dhe e shqetësimeve të ngritura te bizneset, shkaku i propozimit nga KESCO-ja. Në propozimin e furnizuesit, ndërkaq, nuk është e ditur nëse nga ngritja do të preken edhe bizneset.
“Është e vërtetë që në muajin shkurt nuk ka pasur ngritje të tarifave të energjisë elektrike për bizneset. Për këtë arsye, ne presim që ta kemi një dokument nga ZRRE-ja se a janë të përfshira edhe bizneset apo i përfshinë vetëm qytetarët. Nëse shtrenjtohet rryma për bizneset, padyshim që do të ketë efekt edhe në ngritjen e çmimit të produkteve, për arsye se rryma ka ndikim në proces të prodhimit”, ka thënë Rafuna në një deklaratë për KosovaPressin.
Lidhur me atë nëse dyfishimi i propozuar do të përfshijë edhe bizneset, KOHA ka drejtuar pyetje në KESCO porse gjatë së shtunës nuk ka marrë sqarime.
Një ditë më parë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka publikuar propozimin e KESCO-s, në të cilin bëhej e ditur se me tarifat e reja, çmimet do të ngrihen në 5.43 centë për një kilovat orë energji të shpenzuar, si tarifë e ulët, dhe 12.68 centë për çdo kWh për tarifë të lartë.
Të pakënaqur me propozimin janë shprehur të shtunën disa qytetarë, të cilët e kanë vlerësuar rritjen si të papërballueshme.
Qytetari Gëzim Berisha ka thënë se propozimi është bërë në një kohë të përshtatshme.
“Sa i përket paralajmërimit për ngritje të tarifave, mendoj që nuk është koha e duhur dhe momenti i duhur. Qeveria duhet ta shqyrtojë vendimin, të paktën ta shtyjë për një kohë të caktuar, kur është gjendja më e mirë ekonomikisht për qytetarët e Kosovës. Për momentin, faktikisht pandemia dhe disa probleme të tjera që i ka pasur shteti ynë, mendoj që është më mirë që të shtyhet për një kohë, pra, kur gjendja ekonomike është më e mirë”, ka thënë ai.
E qytetari Saimir Shala e ka vlerësuar propozimin të rëndë për qytetarët.
“Çdo rritje e çmimit është e rëndë për qytetarët. E përballueshme edhe e rëndë është. Qeveria duhet të paguajë diçka për qytetarët”, ka thënë ai.
Mosveprimin e ekzekutivit për të gjetur një zgjidhje karshi krizës energjetike është kritikuar të shtunën nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK), të cilët e kanë quajtur atë dëshmi të paaftësisë së Qeverisë.
Xhafer Tahiri, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se Ministria e Ekonomisë ka realizuar zero euro investime për gjashtë muajt e parë të vitit, ani se në buxhet ka 16 milionë euro.
“Zero politika për projekte të rigjenerimit në KEK, p.sh. kemi këto mjete që rrinë në buxhet e që për shkak të inflacionit e humbin vlerën e tyre çdo ditë që rrinë në buxhet të Ministrisë. Kemi një ministri inekzistente që nuk ndërmerr asnjë hap, asnjë masë për të përmirësuar gjendjen në energji, përveçse të dalë dhe të na paralajmërojë për një krizë. Një krizë që të gjithë po e shohim, që LDK-ja e ka paralajmëruar qysh vitin e kaluar”, ka thënë Tahiri, në një konferencë për media të premten.
KESCO-ja ka adresuar kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, me justifikimin e mosdisbursimit të subvencionit të zotuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
KOHA ka dërguar pyetje në Qeveri, në Ministrinë e Financave dhe në atë të Ekonomisë lidhur me atë se çfarë masash do të ndërmerren dhe se kur do të fillojë subvencionimi i premtuar, porse të shtunën nuk ka marrë përgjigje.
Aktualisht qytetarët paguajnë dy lloje të tarifave për rrymën e shpenzuar, shkaku i bllokut tarifor të vendosur për 800 kWh të shpenzuar. Shtrenjtimi është propozuar si për ata që shpenzojnë më pak se 800 kWh në muaj, ashtu edhe për ata që e tejkalojnë bllok-tarifën. Tarifa e ulët për ata që shpenzojnë nën këtë bllok është 2.89 centë për kWh, ndërsa e larta për konsumatorët familjarë që shpenzojnë më pak se ky bllok tarifor është 6.75 centë për kWh. Propozimi i KESCO-s është që me tarifat e reja çmimet të ngrihen në 5.43 centë për kWh si tarifë e ulët dhe 12.68 centë për kWh për tarifë të lartë.
Tarifë e ulët është ajo që shpenzohet gjatë natës, ndërsa e larta ajo që shpenzohet gjatë orëve të ditës.
Të martën, nga ZRRE-ja është njoftuar për hapjen e procesit për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave në mungesë të subvencioneve. Një ditë më pas, në një konferencë për media, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se është duke u punuar në gjetjen e modaliteteve për jetësimin e zotimit. Ajo, ndërkaq, ka bërë thirrje për kursimin e energjisë me qëllim të kapërcimit të një “dimri të jashtëzakonshëm”, si shkak i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Në shkurtin e sivjetmë, ZRRE-ja pati vendosur për tarifa të reja. Ishte kthyer bllok-tarifa në 800kWh. Kushdo që shpenzon mbi të, do të faturohet me tarifa më të larta. Qeveria pati vendosur të ndajë mbi 100 milionë euro për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, ndërsa vetë ministrja Rizvanolli pati konfirmuar në korrik se nga kjo shumë totale, janë shpenzuar rreth 23 milionë euro. Partia Demokratike (PDK) pati çuar vendimin e ZRRE-së në gjykatë. Themelorja dhe Apeli patën vendosur që të pezullohet vendimi, ndërsa Supremja largoi masën e pezullimit.