Arbëri

Gashi: Serbia sot shumë më larg njohjes së Kosovës sesa para 10 vjetësh

Serbia sot është shumë më larg njohjes së realitetit në Ballkan dhe njohjes së Kosovës sesa në kohën kur ka nisur dialogu, para 10 vjetësh, ka thënë Drilon Gashi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke folur të enjten mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së, Gashi ka thënë se përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë që ta rishkruajnë historinë në lidhje me Kosovën, e dëshmon këtë më së miri.

“Në kontekstin e politikës në Serbi është se jo vetëm se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës mirëpo kanë filluar t’i kthejnë prapa disa zotime që i kanë bërë më herët. Por edhe përpjekja e vazhdueshme e Serbisë që ta rishkruajë historinë në lidhje me Kosovën, dhe ato që ka bërë shteti serb në rajon, po tregon se është shumë më larg sot Serbia drejt njohjes së realitetit në Ballkan dhe njohjes së Kosovës sesa në kohën kur ka nisur dialogu, para 10 viteve”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se është pozitive përfshirja e SHBA-së në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pasi siç ka thënë, atëherë kur mungon vendosmëria e BE-së, është vendosmëria e SHBA-së.