Arbëri

​Izraeli dhuron 70 karroca për fëmijët me aftësi të kufizuara

Descriptive Text

Izraeli për herë të dytë ka shpërndarë 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Karrocat do t’u shpërndahen fëmijëve në Prishtinë, por edhe qendrave tjera të Kosovës.

Ceremonia e shpërndarjes u bë në Shoqatën Hendikos të enjten. Drejtori i kësaj qendre, Afrim Maliqi, u shpreh se personat me aftësi të kufizuara nuk marrin asnjë shërbim institucional, përpos atyre social nga OJQ të ndryshme.

Maliqi ka thënë se presin përkrahje në përmirësim të kuadrit ligjor për personat me aftësi të kufizuara.

“Këto karroca do t’u shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara, si në Prishtinë, por edhe gjithandej Kosovës. Do ta bëjmë shpërndarjen e tyre, gjithë fëmijëve të cilëve u përshtaten. Sot personat me aftësi të kufizuara, si fëmijët, si të rriturit, nuk marrin as pajisje ndihmëse, as shërbime tjera institucionale, përpos shërbimeve sociale nga organizatat e ndryshme joqeveritare edhe ndonjë mbështetja financiare që e marrin si kompensim mujor për mbulimin e shërbimeve të tyre ditore... Personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre janë grupi më optimistë, përkundër asaj që janë grupi më i varfër dhe rrezikuar në vendin tonë”, ka thënë ai, raporton KP.

Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me mungesë të infrastrukturës së përshtatshme.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, ka thënë se këto karroca që sot shteti i saj i ka dhuruar për qytetarët e Kosovës me aftësi të kufizuara, janë simbol i miqësisë mes dy vendeve. Ajo ka deklaruar se shpreson që me përdorimin e këtyre 70 karrocave do të lehtësohet jeta e këtyre personave.

Në ceremoninë e dhurimit të karrocave nga shteti izraelit mori pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se si Qeveri po punojnë që të gjitha politikat e tyre të lehtësojnë jetën e qytetarëve pa dallim.

Izrali edhe gjatë muajit prill të këtij viti i ka dhuruar Kosovës 93 karroca, gjatë vizitës së ministrit për Bashkëpunim Regjional të Izraelit, Esawi Frej në Kosovë.