“Nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë që këto politika agresive të Beogradit të mund të kthehen në një sulm kundër Kosovës, në njërën apo tjetrën mënyrë. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, ka thënë ai për Reuters, pak ditë pasi ka dhënë alarmin për rreziqet e një lufte në Kosovë, gjatë një interviste për të përditshmen italiane “La Repubblica”
Kosova është e gatshme t’u qëndrojë sulmeve të mundshme prej Serbisë, pasi që përkeqësimi i mosmarrëveshjeve me minoritetin serb mund të shpjerë në konflikt të armatosur, ka thënë të mërkurën kryeministri Albin Kurti në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve Reuters.
Vlerësimin për agjencinë Kurti e ka bërë dhjetë ditë pas ngritjes së tensioneve në veri, si pasojë e vendimit të Qeverisë për t’u dhënë një afat të fundit qytetarëve serbë që t’i kthejnë tabelat e veturave nga ilegalet e lëshuara në Serbi, në ato RKS. Situata është qetësuar pasi që Qeveria, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, është pajtuar për shtyrjen e implementimit të masës deri më 1 shtator, me kushtin që të hiqen barrikadat që ishin vendosur më 1 gusht në rrugët drejt pikave kufitare.
“Nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë që këto politika agresive të Beogradit të mund të kthehen në një sulm kundër Kosovës, në njërën apo tjetrën mënyrë. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, ka thënë ai për Reuters, pak ditë pasi ka dhënë alarmin për rreziqet e një lufte gjatë një interviste për të përditshmen italiane “La Repubblica”. “Nuk po them që do të na sulmojnë këtë javë apo tjetrën, por do të ishte tërësisht e paarsyeshme të përjashtohet mundësia e ngritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, ka shtuar Kurti.
Deklarata në gazetën italiane ka nxitur reagimet nga partitë opozitare, përfaqësues të të cilave kanë akuzuar Kurtin se po nxit frikë mes investitorëve të mundshëm duke përdorur gjuhë të këtillë për rreziqe të mundshme. Kurti nga ana e tij i ka kundërshtuar akuzat. Ai ka fajësuar Rusinë, si aleatin kryesor të Serbisë, për nxitjen e tensioneve të reja në baza etnike.
“Presidenti despotik rus, Vladimir Putin, është njeri i luftës dhe ai ka në interes shpërndarjen e luftës, sepse dëshiron ta normalizojë luftën”, ka thënë Kurti për Reuters, duke aluduar në nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia gjatë muajit shkurt. “Ne kemi institucionet tona dhe organet e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kosova është shtet tani, nuk është më viti 1998. Tani jemi më 2022 dhe jemi shumë më të përgatitur që ta mbrojmë sovranitetin tonë, integritetin tonë territorial, t’i mbrojmë demokracinë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe të mbrojmë progresin tonë”, ka thënë Kurti.
Ai pritet që të ketë një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel më 18 gusht, në kuadër të vazhdimit të dialogut.