Arbëri

Tri zhvillimet që sipas Haradinajt çojnë në marrëveshjen Kosovë-Serbi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ekzistojnë tri zhvillime që mund të ndihmojnë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Sipas tij, komunikim intensiv duhet të mbahet këto ditë me QUINT-in dhe serbët e Kosovës e angazhim që të mos ketë retorikë luftënxitëse.

“Tri zhvillime mund ta ndihmojnë rajonin tonë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. 1. Një komunikim intensiv mes institucioneve të Kosovës dhe ambasadorët e Quintit, me serbët e Kosovës, posaçërisht me serbët e Veriut, me të gjitha nivelet e mundshme, këto ditë deri me 1 shtator. 2. Angazhim për qëndrime të përmbajtura pas takimit të 18 gushtit dhe në asnjë mënyrë retorikë luftënxitëse”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka thënë se udhëheqësit e BE-së duhet t’ia dorëzojnë agjendën e dialogut presidentit Joe Biden që ai t’i ftojë liderët e dy vendeve për marrëveshjen.

“Udhëheqësit e BE-së, të ja dorëzojnë agjendën e dialogut Kosovë-Serbi, presidentit Biden, në mënyrë që t’i ftojë liderët e dy vendeve për marrëveshjen finale për njohje reciproke sa më parë”.

Haradinaj shtoi se nga ana e saj, Kosova duhet t'i kryejë punët e shtëpisë, “ligjin e pagave dhe beneficionet për policinë e Kosovës”.