Arbëri

“Linja e jetës” shkurton orarin e punës shkaku i mungesës së financimit

Thirrjet në qendrën telefonike të parandalimit të vetëvrasjes “Linja e jetës” do të kufizohen, ngase është shkurtuar orari i punës, shkaku i mungesës së mbështetjes financiare.

Bind Skeja, themelues i kësaj linje, ka treguar se që nga nëntori i vitit 2019, kur ka filluar punën kjo qendër, ata kanë kërkuar përkrahje prej institucioneve në mënyrë që të ketë jetëgjatësi kjo iniciativë.

Ai ka treguar se në fillim u janë ofruar disa donacione për mbulimin e kostos, por një mbështetje e tillë nga institucionet ka munguar.

“Arsyeja pse ia patëm filluar në baza vullnetare është se kemi shpresuar që nëse ne dalim dhe tregojmë që ka nevojë, është dëshmuar që ka nevojë për një shërbim të tillë që nëse tregojmë që ne mundemi ta kryejmë këtë punë, mundet të ketë edhe efekt pozitiv në institucione për sa i përket përkrahjes që mund të na ofrohet”, tha Skeja.

Ai ka theksuar se deri tash kanë pranuar mbi 5000 telefonata.

Ka treguar se përveç studentëve të Psikologjisë, vullnetarët janë të fushave të ndryshme.

Ata thotë se trajnohen paraprakisht dhe aftësohen që të pranojnë thirrjet. Po ashtu, kanë edhe një grup mbikëqyrës psikologë me të cilët bashkëpunojnë.

“Ka nevojë të zgjohet Ministria e Shëndetësisë, i kemi kontaktuar, kemi pasë me mbajt takime me ta, mirëpo nuk është zhvilluar diçka më tutje se kaq. Ka precedent që me funksionalizu linja të tilla nëpërmjet MSH-së, kështu që nuk është se po kërkojmë diçka që nuk është bërë më herët. Kështu që jemi të gatshëm të pranojmë mbikëqyrje edhe të pranojmë bashkëpunim të plotë që të mund të jetë ‘Linja e Jetës’ edhe si pjesë e MSH-së, gjë që e kemi ofruar edhe më herët”, tha ai.

Pas kësaj krize financiare me të cilën po përballen, ai ka treguar se ka pasur individë kryesisht qytetarë që kanë filluar ta mbështesin linjën nëpërmjet donacioneve, për të cilat thotë se është jashtëzakonisht mirënjohës.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe Zyrën e Kryeministrit nëse kanë në plan ta mbështesin këtë linjë, por ka munguar përgjigjja nga ta.