1 perditesime
Arbëri

LDK-ja i vlerëson joefektive masat e Qeverisë për zbutjen e krizës energjetike

LDK-ja i vlerëson joefektive masat e Qeverisë për zbutjen e krizës energjetike
19:14

LDK-ja i vlerëson joefektive masat e Qeverisë për zbutjen e krizës energjetike

Masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e krizës energjetike të paralajmëruar për në dimër janë kualifikuar si joefektive nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nëpërmjet një konference për media, deputeti i këtij subjekti, Besian Mustafa, ka kritikuar ekzekutivin se po e luan rolin e spektatorit, duke mos ndërmarrë masa konkrete që garantojnë se qytetarët nuk do të përballen me shtrenjtim të papërballueshëm të rrymës.

Ai ka thënë se institucionet kanë marrë veprime të pakoordinuara, që e rrezikojnë sigurimin e furnizimit me energji elektrike, si dhe pavarësimin energjetik.

“ZRRE-ja tani, fatkeqësisht, është shndërruar në departament të Qeverisë. Të enjten shprehu dhe, këtu citoj përsëri, shqetësimin se mosalokimi i subvencionit të Qeverisë për energjinë elektrike është duke rrezikuar marrëveshjen kyçe me NCE-në dhe po ashtu edhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike. Një gjë e tillë do të shkatërronte vite e vite punë dhe përkrahje të partnerëve tanë ndërkombëtarë për pavarësinë energjetike të vendit tonë”, tha Mustafa.

Në Kuvend, të enjten është miratuar vendimi i Qeverisë për masat emergjente në sektorin e energjisë. Vendimi parasheh që në një periudhë prej 60 ditësh të ndalohet përdorimi i energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave, si dhe të ketë kufizime në furnizim për objektet e institucioneve.

Njohës të fushës së energjisë nuk janë shprehur optimistë se masat emergjente do ta parandalojnë krizën.

Liron Gjocaj, nga Instituti për Politikat Zhvillimore, INDEP, në një deklarim për KosovaPressin ka propozuar disa masa që do të ndikonin në zbutjen e krizës së paralajmëruar.

“Ne kemi rekomanduar heqjen e TVSh-së për panelet solare, për peletin, për pompat termike dhe subvencionimin e tyre, për shkak se e dimë që këto janë masa të cilat do të shtynin qytetarët t’i shtonin masat e efiçiencës së energjisë dhe në të njëjtën kohë ta kthejmë konsumin e tyre kah energjia e gjelbër dhe kështu, të reduktojmë konsumin e tyre nga energjia fosile”, tha Gjocaj.

E Lulzim Syla, ekspert i energjisë, ka kërkuar që të bëhet një hulumtim i potencialit për kursim të energjisë elektrike, veçmas në objektet banesore që nuk kanë zgjidhje tjetër për ngrohje, përveç rrymës.

“Në aspektin operativ, do të duhej që së paku, edhe pse jemi me vonesë, të bëhet auditimi i shpejtë përmes ekspertëve që janë auditorë të licencuar, që në mbështetje të Qeverisë të bëhet një auditim, të paktën i potencialit të mundësive të kursimit të energjisë elektrike te banesat që nuk kanë zgjidhje tjetër për ngrohje përpos asaj me energji elektrike”, tha Syla.

Krahas paralajmërimit për shtrenjtim gjatë dimrit, çmimi i energjisë elektrike ka shënuar rritje edhe gjatë muajve të verës. Përveç pandemisë, hov ngritjes së çmimit i ka dhënë edhe nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në fund të shkurtit.

13:20

LDK – Qeverisë: Po luan rolin e spektatorit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngrehur disa pyetje për Qeverinë e Kosovës, lidhur me krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për media ka kërkuar të dijë se si do të reagojë Qeveria në rast të thellimit të krizës.

“Tani që dimri po afron shpejtë i kërkojmë qeverisë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve, a do të ketë mjaftueshëm energji në dimër apo do ketë reduktime, a do shtrenjtohet çmimi i energjisë për qytetarët dhe prodhuesit vendorë dhe nëse po, sa. Në rast të papërballueshmërisë çka do bëjë qeveria për qytetarin dhe sa familje kosovare rrezikohen të bien në varfëri nga rritja e çmimit të energjisë dhe produkteve esenciale”.

Mustafa ka thënë se kriza energjetike ishte paralajmëruar nga partia e tij një vit më parë, por sipas tij, Qeveria e ka injoruar atë dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

“Në këtë krizë të madhe dhe më e varfër është përgjigja e qeverisë së Kosovës me mungesën e masave që e përkrahin qytetarin. Derisa qytetarët po përjetojnë gjendjen e rëndë me norma rekorde të inflacionit, me çmimet të rritura të produkteve bazike, pushteti ka zgjedhur ta luajë rolin e spektatorit. Ishte pranvera e vitit 2021 kur kryetari i LDK-së, Abdixhiku, paralajmëroi krizën e energjisë dhe përgjigja e parë e pushtetit ishte padëgjueshmëria dhe përgjigja e dytë ishte se kur nuk ka krizë, nuk kemi si të merremi me krizë. Kur arriti kriza pushteti insistoi se nuk do ketë reduktime të energjisë dhe shtrenjtim të faturave. Nuk vonoi shumë dhe ndodhi ajo që ne patëm paralajmëruar, përveç reduktimeve, u shtrenjtua edhe fatura”, ka thënë ai.

Mustafa tha se Qeveria po merr vendimet boshe, ndërsa kompanitë e sektorit të energjisë janë zhytur në borxhe. Duke e quajtur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë departament të Qeverisë, ai tha se po rrezikohet pavarësia energjetike.

“Qeveria premton 19 milionë euro subvencion, kurse sektori i energjisë po shkon drejt bankrotimit. Edhe ZRRE-ja tani e shndërruar në departament të qeverisë, të enjten shprehur shqetësimin se mosalokimi i subvencionit për energjinë po rrezikon marrëveshjen e kyçjes dhe furnizimin me energji. Një gjë e tillë do shkatërronte vite e vite punë e përkrahje të partnerëve tanë për pavarësinë energjetike”.