Arbëri

Bislimi: Kishte dallime në formulimet e dy shkresave të Borellit më 31 korrik

Descriptive Text

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në intervistë për televizionin publik ka treguar se si më 31 korrik Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme, Josep Borrell, ua kishte dërguar dy letra të ndryshme Kosovës.

Fillimisht kishte dërguar një shrkesë Borrell në mëngjesin e 31 korrikut, por jo përmes kanalit zyrtar, duke kërkuar shtyrjen e implementimit të vendimit për dokumente hyrje-dalje dhe targa. E më pas kur e dërgoi nga kanali zyrtar forma e shkrimit ishte krejt tjetër.

“Për informim të plotë, Borrell ka dërguar një shkresë në mëngjes pak para nisjes së tij për në Kamboxhia, por ne kemi thënë që kjo shkresë që dërgohet përmes mjeteve të komunikimit jo zyrtare, duhet të zyrtarizohet, pra duhet të vijë në mënyrë zyrtare. Por pastaj kemi vërejtur diçka të çuditshme. Ka pasur dallime të mëdha mes formulimeve në shkresën e parë (jo zyrtare v.j) dhe letrës zyrtare që e ka dërguar zoti Borrell. Ne kemi një indicie se pse ka ndodhë kjo, por ne do ta përdorim në momente të caktuara gjatë bisedimeve në Bruksel”, tha Borrell.

Bislimi deklaron se Kosova i është përgjigjur letrës së Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, duke ia sqaruar se fushata informuese për qytetarët serbë të Kosovës, ka ekzistuar, dhe ku pothuajse çdo qytetar është informuar për masën.

“I treguam se mund ta diskutojmë pastaj mundësinë e shtyrjes edhe për një muaj që të akomodohet kjo brengë e tij, ndërkaq për dokumentin hyrje/dalje kemi treguar që në fakt nuk kemi nevojë për fushatë informuese meqë kjo masë nuk u vendoset qytetarëve të Kosovës, por u vendoset qytetarëve të Serbisë që futen në Kosovë dhe nuk ka nevojë për kurrfarë masa përgatitore nga këta qytetarë, meqë ata nuk duhet të tregojnë diçka apo të japin diçka për dorëzim, por marrin dokument, që do të thotë serbet e veriut nuk preken nga ky vendim”.

Bislimi thotë se Brukseli ka pasur krejtësisht brengë artificiale.

“Mirëpo siç duket zoti Borrell nuk ka qenë i kënaqur me këtë përgjigje dhe pastaj kemi pasur vizitë nga Hovenier, që unë mendoj që ka qenë vizitë shume qëllim mirë dhe ka dashur që ta zbehë ketë angazhimin jo parimor të Bashkimit Evropian. Aty është thanë që në asnjë rast, bashkësia ndërkombëtarë nuk kërkon rishikimin e masave”, shpjegon Bislimi. “Bashkësia ndërkombëtare është plotësisht e vetëdijshme që Kosova plotësisht ka të drejtë dhe është duke zbatuar masat që veç kanë qenë të dakorduara, që Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e saj në këtë rast, por që duhet t’i marrim edhe argumentin e fundit të palës serbe për rezistencë pasive”.

Bislimi thotë se edhe ndërkombëtarët e dinë tashmë se Vuçiq i inskenon këto trazira.

Ai ka treguar se më pas nuk ka pasur bisedim me BE-në më 31 korrik, me përjashtim të një vizite që ka bërë Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Ka mundësi që kërkesa për impenjim edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ardhur pastaj nga Brukseli, por këtë ne nuk e dimë”, thotë Bislimi, duke treguar për vizitën e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier.

Bislimi po ashtu ka treguar se dy vendimet e marra për dokumentin hyrje-dalje dhe po ashtu për targat, janë dakorduar në Bruksel, por është faji i qeverive të kaluara që nuk janë jetësuar.

Ai deklaron se vendimet që qeveria e Kosovës ka marrë në shtator të vitit 2021, për vendosjen e reciprocitetit me targa, ka pasur një brengë të QUNT-it se i njëjti ishte jo plotësisht i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.

“Në të njëjtën kohë ka qenë ndoshta i tillë që nuk ka lejuar një hapësirë kohore të mjaftueshme për akomodim të qytetarëve me vendimet e reja”, rikujton ai. “Kësaj radhe ne i kemi adresuar këto brenga dhe fillimisht jemi takuar me QUNT-in dhe me Bashkimin Evropian, ku i kemi njoftuar për masat që duhet t’i ndërmarrim dy-tre ditë para se të merren vendimet, dhe pas marrjes së vendimeve, kemi lënë 32 ditë kohë për informim të qytetarëve, në mënyrë që asnjëri prej argumenteve të mos mund të përdoret serish”.