Kryetari i Partisë Demokratikës në Shqipëri, Sali Berisha i kërkoi kryeministrit Edi Rama të shkarkojë menjëherë ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, si përgjegjës direkt të ngjarjes së rëndë në Himarë ku mbeti e vdekur një 7-vjeçare më 3 gusht.
Sipas Berishës, ky është hapi më minimal përballë revoltës dhe dhimbjes popullore.
“Me këtë mbrojtje, Rama meriton një revoltë të madhe popullore. Në vend të një ndjese qindra herë përpara shqiptarëve, deklaron se kemi organizuar sezonin më të përsosur. Se si mund të flitet për përsosmëri, kur ndodhin krimet më makabre, atë e din vetëm mendja e tij. I përgëzoj edhe njëherë qytetarët. Ata i kanë lënë qeverisë 72 orë për të reflektuar. Uroj të merren vendimet e duhura”, ka thënë Berisha të premten.
Ai theksoi se PD-ja mbështet fuqishëm protestën e drejtë të qytetarëve për një krim të rëndë shtetëror.
Oficeri Arjan Tase është i dyshuari kryesor për vrasjen e 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë. Tase, i cili gjendet në burg, goditi me skaf të miturën teksa po lahej.
Qindra protestues u mblodhën të enjten para Ministrisë së Brendshme në Tiranë me moton “nuk e vrau varka, por shteti”.