Shala: Komunitetit serb në Kosovë nuk i shkelet asnjë e drejtë
Komunitetit serb nuk i shkelet asnjë e drejtë, madje pakicat e tjera diskriminohen në dobi të serbëve, ka thënë Behgjet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).
Shala ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së të enjten se reagimet e serbëve të Kosovës ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës bëhen pasi Serbia nuk pranon që Kosova të trajtohet si shtet.
“Nëse merret si shembull trajtimi i pakicave në Kosovë, e shihni se serbët në Kosovë kanë shumë më shumë të drejta. Madje pakicat e tjera diskriminohen në dobi të serbëve, serbët i përfitojnë të gjitha privilegjet. Serbia nuk e pranon Kosovën dhe në asnjë mënyrë nuk pajtohet që Kosova edhe në këto marrëveshje teknike apo gjysmë teknike të trajtohet si shtet dhe këta e kundërshtojnë sepse tableta janë një vulë e shtetit”, ka thënë Shala.
Sipas tij, Serbia nuk është e interesuar për asnjë marrëveshje dhe po të kishte mundësi, edhe marrëveshjen finale do ta shtynte pa kufi.
“Serbia po të kishte mundësi do ta shtynte marrëveshjen deri në pakufi. Serbia po do të përfitojë në kuptimin që ta shtyjë përpara formimin e Asociacionit. Serbia nuk është e interesuar për asnjë marrëveshje”, është shprehur ai.
Shala ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Qeveria duhet ta vë në tavolinë një ofertë për Asociacionin.
Shala: Qeveria e fundit e ka një qëndrim refuzues ndaj SBASHK-ut, greva e papranueshme
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), Behgjet Shala, ka thënë se Qeveria e fundit e ka një qëndrim refuzues ndaj Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK).
Duke folur rreth paralajmërimeve të SBASHK-ut për greva në arsim nga 1 shtatori për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë, Shala ka thënë se kjo është e papranueshme.
“SBASHK-u po e bën një gabim elementar që armën ma të rëndë po e përdor të parën, greva është mjet i skajshëm, kur të shtyhen të gjitha mundësitë për realizimin e kërkesave atëherë vjen greva. Qeveritë e mëparshme e kanë pasur një bashkëpunim më të madh me SBASHK-un, gjithmonë e kanë arritur një marrëveshje për një çështje të caktuar. Qeveria e fundit e ka një qëndrim refuzues ndaj SBASHK-ut. Nuk duhet të ketë grevë, sepse po devalvohet, nxënësit po mbesin pa orë, ato nuk kompensohen, kompensimi po bëhet shkel e shko”, është shprehur Shala në “60 Minuta” të KTV-së të enjten.