Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka bërë shkelje ligjore në Kuvend në emërimin e disa ambasadorëve të rinj, të cilët sipas saj, nuk janë miratuar me vota fizike të deputetëve.
Kadrijaj ka thënë se për këtë rast i është drejtuar edhe Kuvendit për interpretim. Ajo tregoi se në shumë raste të përzgjedhjes së ambasadorëve në mungesë të prezencës fizike, kryetari i këtij Komisioni, Haki Abazi, ka telefonuar deputetët për të shprehur votën e tyre.
“E kemi thirr këtë konferencë për të lajmëruar për shkeljet ligjore që po bëhen në Kuvendin e Kosovës, konkretisht në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë. I jam drejtuar Kuvendit për interpretim për rastin e intervistimit të konsullit për ambasador të SHBA-së sepse nuk ka pasur prezencë fizike të 6 deputetëve, ndërsa kryetari i Komisionit ka vazhduar punën me votat e deputetëve që i ka kontaktuar përmes telefonit. Të gjithë ambasadorët që kanë kaluar nëpër procedurat e Komisionit janë jolegjitim sepse nuk janë zgjedhur me vota fizike të deputetëve, por me platformën Zoom. Konsulli në New York, Blerim Reka, Martin Berishaj si ambasador në Kroaci, Dren Doli në Holandë, Ilir Kapiti në Britani, Xhabir Hamiti në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mehdi Halimi në Francë, Florent Qehaja në Maqedoni të Veriut, Agon Vrenezi në Turqi, Nita Luci në Norvegji. Të gjithë këta konsideroj se janë jolegjitim. Është bërë shkelje ligjore në emërimin e tyre”, ka thënë Kadrijaj në një konferencë për shtyp të enjten para Kuvendit.
Deputetja e AAK-së paralajmëroi se do të ndiqen instancat më të larta ligjore për këtë rast, nëse nuk merren masa nga Kuvendi.