Arbëri

Takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiq paralajmërohet për fund të gushtit

Nëse do të ketë një takim të ardhshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq këtë verë, takimi pritet të mbahet në javën e tretë të muajit gusht, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës të martën për KOHËN.

Të hënën, shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në takim në Bruksel dy krerët e shteteve pas tensioneve në veriun e Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se Kurti është i gatshëm për takim të radhës me Vuçiqin.

“Siç e dini, takimi i paraparë të mbahej me 19 korrik dështoi sepse Beogradi zyrtar refuzoi që ai të zhvillohet duke kërkuar që një takim i tillë të shtyhet për më shumë se një muaj. Kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje bilaterale. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ftesën për palët e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka thënë se BE-ja është në kontakt të afërt me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar situatën dhe është në koordinim të afërt me EULEX-in, KFOR-in e partnerët tjerë, posaçërisht SHBA-në.

“Pasi Kosova pranoi kërkesën e Borrellit dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara lidhur me targat dhe letërnjoftimet, me kushtin që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar për rrugën përpara”, është shprehur Stano në një konferencë për media të hënën. Ai po ashtu ka bërë thirrje që palët të ruajnë qetësinë e të “ndalen menjëherë veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme që rrezikojnë stabilitetin e sigurinë në terren dhe që pengojnë lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve”.

Takim në kuadër të dialogut, Kurti e Vuçiqi s’kanë pasur që nga viti i shkuar.