1 perditesime
19:53

Kurti-Stoltenbergut: Rusia po e ndihmon Serbinë në destabilizimin e Ballkanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë telefonike të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur se fushatat dezinformuese po ndihmohen nga Rusia në përpjekje për ta destabilizuar Ballkanin.

“Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

"Nën masën e re të kalimit kufitar në vendkalimet kufitare të Kosovës, më 1 gusht, deri në ora 18:00 kishin kaluar 2521 qytetarë me dokumente identifikimi nga Serbia. Për këtë procedurë të re kanë pritur mesatarisht vetëm 20 sekonda, pasi gjithçka është digjitalizuar nga institucionet e Kosovës. E njëjta procedurë në vendkalimet serbe zgjatë nga 10 minuta deri mbi një orë", vijon komunikata. 

Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë Stoltenbergut se qytetarët e Kosovës janë të informuar mirë për masat që i ka vendosur Qeveria për targat në veri dhe reciprocitetin me dokumentet e identifikimit me qytetarët serbë.

Kurti përsëriti se këto masa janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Stoltenbergu e siguroi Kurtin, sipas komunikatës, për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

14:55

Stoltenberg flet me Kurtin për situatën në veri: Të gjithë duhet ta ruajnë qetësinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për letërnjoftime dhe targa.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.