Jugu i Ferizajt është zonë që në të ardhmen mund të gjenerojë tërmete me magnitudë të intensitetit të lartë, ka paralajmëruar të dielën Ministria e Ekonomisë.
Ky paralajmërim ndodhi pas tërmetit me magnitudë 2.8 shkallë të Rihterit, që goditi këtë zonë të Kosovës në mëngjesin e së dielës.
Paralajmërimi i Ministrisë së Ekonomisë bazohet edhe në llogaritjet dhe studimet e paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë.
“Tërmeti në fjalë nuk kishte potencialin të rrezikon qytetaret, apo ndonjë dëm material për shkak të forcës se ulët d.m.th. nuk kishte vend për panik apo shqetësime, njëherësh ky tërmet dëshmon për zonën që është zonë aktive, e cila zonë në të kaluarën ishte goditur nga tërmete me intensitet të lartë bazuar në katalogun historik të tërmeteve. Kjo zonë edhe në të ardhmen mund të gjenerojë tërmete me magnitudë të intensiteti të lartë, ashtu sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Epiqendra e tërmetit të 31 korrikut ishte 7 km në Jugperëndim të Vitisë, 6 km në Verilindje të Kaçanikut dhe 2 km në Verilindje të fshatit Nikaj.