Arbëri

ATK-ja ka mbledhur gjysmë milioni euro borxhe të bizneseve vetëm të enjten

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se gjatë ditës se enjte ka arritur të mbledhë gjysmë milioni euro borxhe nga ana e bizneseve borxhlinje.

Përmes një njoftimi të premten thuhet se borxhet janë mbledhur përmes masave të sforcuara te nëntë biznese, të cilat ndaj ATK-së kanë pasur borxhe në vlerë 1.7 milionë euro.

“Vetëm ditën e djeshme Departamenti i Mbledhjes së Detyrueshme ka ndërmarrë veprime të masave të sforcuara tek nëntë biznese, të cilat ndaj ATK-së kanë pas borxhe në vlerë 1.7 milion euro. Veprimet e mbledhësve tatimor kanë rezultuar të suksesshme duke u realizuar pagesa të menjëhershme të gjysmë milion euro nga ana e bizneseve borxhlinj, përderisa pjesa tjetër e borxhit do të vazhdoj të mblidhet duke u paguar me këste bazuar në marrëveshjet e lidhura”, thuhet në njoftim.

ATK-ja kërkon nga tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore të pashlyera që të vizitojnë zyrat e Departamentit të Mbledhjes së Detyrueshme, me qëllim të njoftimit me mundësitë ligjore që ofrohen për kryerjen e pagesave.