Arbëri

Kurti: Jam gjithmonë i gatshëm të udhëtoj për në Bruksel për takim me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është gjithmonë i gatshëm që të udhëtojë për në Bruksel, që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” të enjten, Kurti ka thënë se Vuçiqi po e shtyn vazhdimisht takimin, pasi nuk dëshiron të distancohet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj për Bruksel, për takimin e radhës dhe një takim i tillë ishte në plan që të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt, pasi Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi njëmujore. Po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet dhe sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme. Ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga presidenti despotik Putin. Nuk duan që t’i vënë sanksione Moskës, andaj nuk e konstituojnë Kuvendin, nuk e formojnë Qeverinë. Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, konstruktive dhe e përkushtuar. Blinkeni kërkoi që edhe më tej të jemi të tillë. Beogradi po punon kundër marrëveshjeve miqësore”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për takimin me sekretarin amerikan, Antony Blinken, të mërkurën, në Uashington, duke e cilësuar atë si kremtim të marrëdhënieve të mira me SHBA-në.

“Takimi me sekretarin Blinken ishte i shkëlqyeshëm. Është kremtim i marrëdhënieve tona”, është shprehur Kurti.