Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për raportin e Dick Martyt

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për raportin e Dick Martyt
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht, të enjten mbrëma, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës.
Seanca u përcoll me shkëmbime akuzash mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, rreth rolit të tyre në luftën e Kosovës dhe në raport me akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e cila ka hartuar këtë projekt-rezolutë, Edi Rama, tha më herët gjatë ditës se përmes miratimit të saj synohet kthimi i dinjitetit të popullit shqiptar dhe luftëtarëve të UÇK-së.
“Shqipëria do të merret me reputacionin e cenuar të popullit shqiptar dhe do ta bëjë këtë me dinjitet. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg”, u shpreh Rama.
“Ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së”, shtoi ai.
Draft-rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson si “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.
Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “të realizojë një raport vijues dhe rishikim të Rezolutës 1782” e cila u dha hov pretendimeve për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës së 1998-1999 në Kosovë.
Raporti, i hartuar nga Dick Marty, një politikan zviceran dhe një ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2010, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride para të cilës ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen nën akuza për krime të luftës ndaj civilëve serbë dhe rivalëve politikë.
Raporti i Martyt, i cili u miratua me një rezolutë nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, përmban pretendime se ish-krerët e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës. Akuzat e ngritura në raportin e Martyt janë hetuar nga një prokuror amerikan dhe gjetjet e tij nuk kanë përfshirë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve me qenie njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020 kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat.
Megjithatë, pretendimet e Martyt nuk janë hedhur poshtë nga Këshilli i Evropës, ndërkohë që së fundmi Marty është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane pas zbulimit se strukturat serbe të sigurisë po planifikonin vrasjen e tij. /Rel
Berisha-Ramës: Ky shiste ikona të vjedhura në Paris, në Kosovë derdhej gjaku i të rinjve
Në Kuvendin e Shqipërisë vazhduan replikat për çështjen e Kosovës, me akuza e kundërakuza mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu kundërpërgjigj kryeministri Edi Rama duke i thënë se “kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, në Kosovë derdhej gjaku i të rinjve”.
Paraprakisht, Rama akuzoi PD-në se “historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës” dhe që raportit të Dick Martyt ia ka hapur rrugën kjo parti në Këshillin e Evropës në vitin 2011.
“Çështja e Dick Martyt, një mashtrues del këtu e përpiqet të bëhet patriot me këtë rezolutë. U kujtoj shqiptarëve se në shtator 2011, në sallën më prestigjoze të planetit, atë të OKB-së, kam denoncuar raportin e Dick Martyt. Ato që shkruhen në raport janë shpifje, citoj fjalën time. Nuk i marrë të gjithë socialistët, njoh kontributin e disave prej tyre, por nuk harrohet kur shefat e kësaj partie thoshin që do vijnë rambot e Amerikës ta shpëtojnë Kosovën. Kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, në Kosovë derdhej gjaku i të rinjve. Nuk është e vërtetë që është votuar në KiE. Është votuar rezoluta, në të cilën nuk ka asnjë fjalë, as për organe, as për Shtëpinë e Verdhë. Unë këtë rezolutë e mbështes, por ata vetë duhet ta hidhnin Martyn në gjykatë, padi civile për shpifje”, ka thënë Berisha, i cili mbante në dorë telefonin me një foto të tij me Hashim Thaçin në vitin 1998, ndërsa i kërkoi edhe Ramës nëse kishte një foto të tillë.
Përplasje në Kuvend: Berisha i afrohet Ramës, ndërhyn sigurimi
Në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ku po diskutohet për rezolutë kundër asaj të Dick Martyt, ka pasur një përplasje mes kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryeministrit Edi Rama.
Pasi nuk iu dha fjala nga kryetarja e Kuvendit, Berisha iu afrua pranë karriges së Ramës dhe filloi me akuza, duke e quajtur të pafytyrë. Rama i kërkon që të largohet.
Në mes tyre ka ndërhyrë sigurimi për të shmangur ndonjë konfrontim fizik/Euronews
Rama akuzon PD-në: Ju ia ngulët thikën Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar Partinë Demokratike të Shqipërisë, “se janë ata që sot bëhen si patriotë të mëdhenj e që ia kanë ngulur thikën Kosovës përgjatë historisë”.
Rama në Kuvendin e Shqipërisë të enjten replikoi me deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili kritikoi pushtetin që nuk e futi në rend dite rezolutën për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovës.
Por kryeministri Rama deklaroi se rezoluta të tilla nuk duhet të miratohen pa dakordimin me aleatët ndërkombëtarë, pa të cilët siç thotë Rama, nuk do të kishte shtet të Kosovës.
Kreu i qeverisë shqiptare gjithashtu u shpreh se raportit të Dick Martyt, për të cilin po diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë, ia ka hapur rrugën PD-ja në Këshillin e Evropës me votën e tyre.
“Zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës, përkundër votës së Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit. Dick Martyt ia keni hapur rrugën ju. Hajdeni këtu dhe thoni çka mendoni për Hashim Thaqin? Është mirë aty ku është në burg? Këto shikoni ju, sepse thikat që ju i keni ngulur Kosovës nga dita e parë, duke masakruar UÇK-në si terroriste, si marksiste-leniniste, deri në ditën e fundit, duke ngritur thikën dhe duke ia ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës. Ju përplaseni me historinë, nuk i shlyeni dot, nuk i zhbëni dot, nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës. Kështu keni qenë, kështu do të mbeteni gjithmonë sepse bishti i shtrembër, nuk drejtohet”, ka thënë Rama përpara deputetëve.
Për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, Rama potencoi se “nuk mund të bëhemi si foltorja e gojorja në sy të asaj bote demokratike, pa të cilën s’do të kishte Kosovë”.
“Dënimi i gjenocidit në Srebrenicë u miratua kur ishte planifikuar të miratohej, në ditën e Srebrenicës, por jo në ditët e foltores dhe gojores. S’keni çfarë t’i bëni gomarit këtu dhe i bini samarit. Si samar e përdorni Kosovën. Ai shtet i lirë, sovran, demokratik është krijuar nga ata pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë, nuk duhet të bëjnë asnjë hap. Duhet dakordësia e aleatëve tanë”, tha tutje Rama, i cili shtoi se PD-ja po dëshiron ta bëjë lëmsh politikën ndërkombëtare të Shqipërisë për t'i vendosur socialistët në pozitë jo të mirë përpara tyre.
Kuvendi i Shqipërisë po diskuton projekt-rezolutën e shumicës për Kosovën. Drafti “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të raportit të Dick Martyt për trafikim organesh në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës në Kosovë” ka marrë dakordësinë e opozitës, e cila ka shtuar edhe dy amendamente të tjera.
Së pari kërkon dënimin e gjenocidit serb dhe së dyti shtimin e një paragrafi, ku të theksohet se vetë Dick Marty ka deklaruar se “i kërcënohet jeta nga elementë radikalë serbë”.
Dy projekt-rezolutat e PD-së kundër gjenocidit serb në Kosovë nuk kaluan.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Festa e shqipeve në Londër për 28 Nëntor, ka edhe të arrestuar

PSD: S’do lëmë gurë pa lëvizur që vizita e Trendafilovës të mos kalojë lehtë

Murati: Shqiptarët kanë qenë përherë lojtarë të rëndësishëm në Ballkan

Kurti: Prekazi me Epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare

Shtrohet nevoja për pajisje të rënda e armatim të sofistikuar për FSK-në

Specialja ua ndalon Prokurorisë e mbrojtjes qasjen te dëshmitarët e njëra-tjetrës

NATO-ja e BE-ja me mision për të parandaluar konfliktet në Ballkan

Bashkëpunimi tregtar mes Kosovës e Shqipërisë vlerësohet ende i zbehtë

Gjermania do të dërgojë ushtarë shtesë në Kosovë, Baerbock: Paqja në Ballkan varet nga një fije

Buxhovi: Pavarësisht ndarjes nga Shqipëria, Kosova e shqiptarët u mbijetuan planeve ogure të fqinjëve

Borrell: Do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet në veri të Kosovës
