Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë nuk kanë folur pas kërkesës së KESCO-s për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të rrymës, e për të kryeministri Albin Kurti ka thënë të mos jetë në dijeni. E deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas një vizite që i kanë bërë KEDS-it, kanë ngritur shqetësimin për, siç kanë thënë, neglizhencën e Qeverisë në raport me situatën energjetike
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka heshtur të mërkurën rreth kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, që një ditë më parë asaj ia ka shtruar KESCO.
Kërkesa, sipas burimeve të KOHËS, është arsyetuar me mos subvencionimin e tarifave nga ana e Qeverisë, ndonëse për të ishte dhënë zotimi në vendim e ZRRE-së mbi tarifat e reja.
ZRRE-ja nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve rreth mënyrës se si do të veprohet në raport me këtë kërkesë dhe as nuk ka treguar nëse ka pasur komunikim me Qeverinë rreth subvencionimit.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk është në dijeni nëse ka kërkesa të tillë nga KESCO.
“Së pari unë nuk jam në dijeni për përgatitjet e kërkesave për ZRRE-në nga ana e operatorëve ekonomikë. Nuk jam në dijeni për këtë. Ato shkojnë te Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe aty duhet të kemi një përgjigje edhe shtetërore edhe profesionale”, ka thënë Kurti.
Kërkesa e parashtruar nga KESCO dhe situata energjetike në vend është diskutuar në një takim të deputetëve të AAK-së me drejtorin e KEDS-it të mërkurën.
Pas takimit, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka akuzuar Qeverinë për neglizhencë të situatës me energji në vend.
“Jemi duke folur për një zotim të Qeverisë që nuk ka ndodhur dhe nuk e dimë pse nuk ndodhë. Njëherë kanë thënë se kjo duhet t’i shkojë KEK-ut. Borxhi është duke u rritur. Problemi i kësaj Qeverie është pazotësia, guximi për të marrë vendime. Në momentin kur ke marrë vendim për subvencionim ato para janë të qytetarëve të Kosovës, atëherë veprimi duhet të ndodhë, sepse problemi nuk vjen duke u zbutur, por vjen vetëm duke u rritur”, ka thënë Tahiri.
Edhe deputeti Pal Lekaj ka kritikuar Qeverinë. Ai ka thënë se ekzekutivi nuk ka bërë asnjë hap që të diskutohet për lidhjen e kontratave afatgjata, me synimin për të shmangur rritjen e çmimit.
“KEDS-i është i shqetësuar sa i përket furnizimit me rrymë, pasi Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për kontrata afatgjata, sepse nëse tri ditë ka qenë megavati 257 euro, sot është 404 euro. Paramendojeni në ditët në vijim sa mund të shtrenjtohet rryma dhe ne lusim Qeverinë që të marr hapat e duhur dhe të mos kemi krizë energjetike”, ka thënë ai.
Çmimi i energjisë elektrike në bursën hungareze të mërkurën është sjellë rreth 432 deri në 471 euro për megavat, në kohë të pikut.
Por, aktualisht Kosovë pjesën më të madhe e mbulon nga prodhimi vendor, ku KEK-u është duke prodhuar 515 megavt, përkundër që një bllok të termocentralit Kosova B e ka në remonte dhe një njësi e Kosovës A është në revizion.
Një ditë më parë, në KEDS kanë bërë të ditur se rreth 60 deri në 70 megavat po importohen nga jashtë për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve.
Por, në KEK thonë se gjatë sezonit dimëror planifikohet që të prodhohen rreth 780 megavatë energji elektrike dhe 140 megavatë energji termike, e cila shërben për ngrohje.
Tani KEK-u është duke bërë remont të blloqeve në termocentralin “Kosova B”.
“Aktualisht jemi duke realizuar remontin e rregullt vjetor në njësinë B1, që pritet të përfundojë në muajin korrik, ndërsa në muajin gusht do të realizohet remonti edhe në njësinë B2 të TC ‘Kosova B’. Para sezonit dimëror edhe në TC ‘Kosova A’ do të realizohen dy revizione, një në njësinë A-3 dhe një në njësinë A-4, ndërsa në njësinë A5 pritet të realizohet riparimi kapital (i turbinës, gjeneratorit dhe kaldajës)”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.
Kjo kompani bazuar në marrëveshjen me Shqipërinë, të gjitha tepricat e energjisë është duke ia ofruar Korporatës së Energjisë së Shqipërisë dhe deri tani janë deponuar rreth 90 mijë megavate. Ky deponim pritet që t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit të dimrit, kur ka më tepër nevojë për energji.