Arbëri

Përkundër rënies, kosovarët të interesuar për investime në kriptovaluta

Edhe pse ka pasur një rënie të kriptovalutave muajve të fundit, në Kosovë ka interesim për investim në to. Njohës të monedhave digjitale thonë se pas rënies pritet që atyre t’u rritet vlera. E Komisioni parlamentar për Ekonomi të hënën ka diskutuar nismën legjislative për kriptovaluta. Kryesuesja e grupit punues, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se me këtë ligj synohet të rregullohet tregu i kripto-aseteve. Drafti fillestar parasheh dy lloje licencash dhe një mori autorizimesh

Kapitali i tregut të kriptovalutave ka rënë pas inflacionit rekord në mbarë botën. Por, përkundër rënies, në Kosovë ka interesim të madh për investime në to.

Granit Kadolli, njohës i kriptovalutave, thotë se pas rënieve në tregje, njerëzit investojnë më shumë në mënyrë që më pas të shesin më shtrenjtë.

“Muajt e fundit ka qenë kjo koha që nuk ka pasur rritje të mëdha, por një pikë që shkon në fund konsiderohet se ka qenë fundi dhe ne i themi ‘zonë e akumulimit’, që njerëzit e shohin që nuk po shkon ma poshtë edhe blejnë kriptovaluta: bitcoin, etherum ose çfarëdo valute tjetër”, ka thënë ai.

Por, ndryshe nga investimi, sipas tij, ka një rënie të interesimit për mihje të kriptovalutave.

“Interesimi për mihje ka rënë muajve të fundit, për arsye se çmimi kur është më i madh e kthen më shpejt investimin, ndërsa kur është i vogël, punon me humbje”, ka theksuar Kadolli.

Kuvendi i Kosovës është në proces të hartimit të një projektligji që ka për qëllim licencimin, autorizimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve që ushtrojnë veprimtari të ndërlidhura me emetimin, shpërndarjen, tregtimin dhe ruajtjen e kripto-aseteve. Drafti fillestar i ligjit parasheh dy lloje licencash dhe një mori autorizimesh.

Për këtë, Komisioni parlamentar për Ekonomi të hënën ka diskutuar me akterët që janë të përfshirë në këtë proces.

“Ky projektligj, përveç çështjeve rregulluese, ka për qëllim që të hapë tregun në investime në lëmin e tregtimit të kripto-aseteve si dhe emetimit të kriptoaseteve”, ka thënë deputetja Mimoza Kusari-Lila, që është kryesuese e grupit punues në hartimin e këtij projektligji.

Virtyt Ibrahimaga, ekspert i angazhuar për hartimin e ligjit, ka thënë se ka pasur kërkesë nga Komisioni që të mos krijohen agjenci të reja që do të mbikëqyrnin implementimin e ligjit.

“Shtetet e tjera, shumica e kanë një autoritet për avancimin digjital apo teknologjinë që ndërlidhen me teknologjinë informative. A do të jetë kështu apo jo do të jenë deputetët që do të vendosin varësisht nga barra financiare”, ka thënë Ibrahimaga.

E, në draftin fillestar të projektligjit ka pasur kritika.

Ilir Imeri, drejtor i Departamentit të komunikimeve elektronike në ARKEP, ka thënë se dispozitat në draft e ngarkojnë institucionin që ai e përfaqëson.

“Nëse ARKEP mbetet me këto përgjegjësi, sigurisht do të jetë sfidë dhe duhet të ketë resurse për t’i zbatuar këto përgjegjësi që ka ARKEP”, ka thënë Imeri.

Nga përfaqësuesit e ATK-së u kërkua që ligji të përmbajë një nen që rregullon aspektin e tatimeve. E, në fund pjesëmarrësve në diskutim iu kërkua që t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim.

Drafti fillestar parasheh që të ketë licenca për subjektet e autorizuara për teknologji digjitale dhe licenca për ofertuesit e shërbimeve inovative.

Po ashtu draftligji parasheh disa lloje të autorizimeve. Autorizimi i parë është për shërbime të administrimit të portofolit të palëve të treta, autorizim për operimin e platformës tregtare për kripto-asete; autorizim për operimin e platformës tregtare të kripto-aseteve kundrejt monedhës fiat ose kripto-aseteve të tjera; autorizim për ekzekutimin e urdhrave për kripto-asetet në emër të palëve të treta; autorizim për plasimin e kripto-aseteve; autorizim për pranimin dhe transmetimin e porosive në emër të palëve të treta; autorizim për dhënien e këshillave për kripto-asetet; autorizimin për emetimin e tokenëve digjitalë të ndërlidhur me një aset real; dhe autorizimi lidhur me emetimin e tokenëve digjitalë që nuk ndërlidhen me një aset real.