Arbëri

Kurti: Vendosja e çmimit tavan për naftën dha rezultate

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se vendosja e çmimit tavan për naftën ka dhënë rezultate, duke shtuar se Qeveria po operon që qytetarëve t’u dilet në ndihmë, por pa e shkelur Kushtetutën.

Kurti deklaroi të dielën para mediave se duhet bërë çmos që qytetarët të punësohen, të paktën një çdo familje të jetë një anëtar i punësuar.

“Ne e respektojmë edhe kushtetutshmërinë edhe ligjin dhe na duhet t’i dalim në ndihmë qytetarëve. Ju e dini që ne jemi zotuar për çdo familje të ketë një të punësuar. Këtë po e bëjmë, e kemi premtuar pra drejtësi dhe punësim. Me ministrat Murati e Hajdari, jemi në komunikim që të sjellim masa që i ndihmojnë qytetarët. Çmimi tavan për naftën ka dhënë rezultate, por duhet ta gjejmë mënyrën më të mirë, por të mos e shkelim kushtetutën”, deklaroi Kurti.

Për policët e plagosur të shtunën mbrëma në Leposaviq, Kurti tha se do t’i takojë në zyrën e Qeverisë, për t’iu shprehur falënderim “për trimërinë e profesionalizimin". Ai shtoi se shpreson që në krye të detyrës të jenë edhe hallkat e tjera të drejtësisë.

Kurti, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi për hapjen e dy organizatave brenda partisë, Organizata e Gruas për VV-në dhe Organizata e Rinisë. Ai tha se anëtarët e subjektit mund ta kandidojnë për t’i udhëhequr këto dy organizata.

“Jemi në një moment të rëndësishëm për subjektin tonë, është proces i brendshëm zgjedhor. Me këtë po i zgjedhim strukturat tona drejtuese për secilin vendbanim, sipas parimit 1 anëtar 1 votë. Ky proces po e gjen VV-në në një nivel tjetër”, deklaroi Kurti.

“23 shtatori do të jetë data e mbylljes së fushatës zgjedhore, e 25 shtatori të jetë dita kur anëtarësia e VV-së voton për kryetarin e ri dhe pozitat udhëheqëse. 27 shtatori është dita kur i shpallim fituesit e zgjedhjeve në garën tonë, për të vazhduar në tetor me organizimin e këshillave të brendshëm, dhe Këshillin e VV-së që do ta drejtojë VV-në për katër vjetët e ardhshme”, tha Valon Hoti, Koordinator në Sekretariatin e Përgjithshëm të VV-së.