Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka ofruar mbështetje me ofrimin e radioterapisë për pacientët me kancer nga Kosova, bëhet e ditur në një komunikatë të MSH-së së Kosovës të mërkurën.
Edhe pse s’është bërë e ditur se nga kur mund të nisin pacientët me kancer të marrin shërbimet e radioterapisë në Shqipëri, sipas njoftimit të MSH-së, ministrja Orgeta Manastirliu ka thënë se Shqipëria gjendet pranë Kosovës.
Qe dy javë, pajisjet për radioterapi në Kosovë janë jashtë funksionit pas përmbytjes së katit të poshtëm të Klinikës së Onkologjisë dy javë më parë, si pasojë e reshjeve të shiut. Në Onkologji kanë thënë se ende nuk ka raport zyrtar nga kompania që e bën mirëmbajtjen e aparaturave, për dëmet që janë shkaktuar.
Janë 233 pacientë me kancer që kanë mbetur pa radioterapi. Metoda e radioterapisë përdoret për aplikimin e rrezeve me qëllim për ta penguar rritjen e qelizave kancerogjene ose për t’i shkatërruar ato. Kjo metodë zbatohet për të zvogëluar tumoret para se të përdorni metoda kirurgjikale.
“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letrën e Manastirliut, ka njoftuar MSH-ja.
Sipas njoftimit, në letër thuhet se po bëhet plani i përbashkët i punës në nivel teknik për ta mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Onkologjia në Kosovë me mundësitë e shërbimit në Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaciteteve të Shërbimit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.