Për tetë ditë një grup i qytetarëve të Kosovës kanë mbledhur më shumë se 20 mijë nënshkrime për lejimin e tërheqjes së 30% të Trustit. Por se a do të ri-procedohet sërish në Kuvend para se deputetët të shkojnë në pushime, kjo varet nga Qeveria.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe një nga iniciuesit për këtë Projektligj, Bekim Haxhiu, nuk ka dhënë ndonjë afat se a do të mund të shqyrtohet ky Projektligj para se Kuvendi të shkojë në pushim, por ka këmbëngulur se është kërkesë e madhe e qytetarëve.
“Realisht Projektligji për trustin do të duhej të kalonte në Kuvend, nuk kishte asnjë arsye as ligjore e as ekonomike që ai të refuzohej. E kam thënë edhe kur e kam proceduar në Kuvend që Projektligji për trustin është kërkesë e qytetarëve dhe sot si asnjëherë më parë, kjo çështje është vërtetuar që është kërkesë qytetare sepse qytetarët u organizuan dhe për tetë ditë kanë mbledhur më shumë se 20 mijë nënshkrime për ta ri-proceduar sërish Projektligjin për trustin në Kuvend. Bazuar në ligjin për nisma legjislative tani u takon qytetarëve që me nënshkrimet e grumbulluara dhe projektligjin ta ri-procedojnë sërish në Kuvend”, ka thënë Haxhiu për Ekonomia Online.
Ai thotë se ka gjasa që nënshkrimet të shkojnë në Kryesi ose te kryeparlamentari para pushimit vjetor, veçse njëherë janë procedurat teknike, skanimi i nënshkrimeve dhe procedimi i tyre në Kuvend.
“Po sigurisht, po besoj që tani deri sa të përgatiten edhe çështjet teknike të nënshkrimeve, skanimi i atyre më shumë se 20 mijë nënshkrimeve edhe procedimi i tyre në Kuvend, po ligji për nisma legjislative parasheh që këto nënshkrime edhe projektligji t’i dorëzohet kryetarit ose kryesisë dhe komisionit për peticione në mënyrë solemne. Dëshmon një demokraci të zhvilluar, ku qytetarët marrin nisma legjislative për një çështje të cilët ata i preokupon, në këtë rast është tërheqja e mjeteve nga trusti”, u shpreh Haxhiu.
Projektligji për Trustin u procedua një herë në Kuvend nga Haxhiu, por nuk mori votat e mjaftueshme për të kaluar.