Arbëri

Elektroseveri shkel afatet e përcaktuara me marrëveshje

 

Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë - KEDS dhe te Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë - KOSTT.

Elektrosever, gjithashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji.

Këto obligime dalin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.

Si rezultat i këtyre obligimeve, kompania Elektrosever është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe.

Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.