Arbëri

Partini: Digjitalizimi do t’i rriste investimet e huaja

Njohësi i rreziqeve nga faktori njeri, Jeton Partini, deklaroi se Kosova ndonëse është vonuar, ka shumë nevojë ta integrojë procesin e digjitalizimit nëpër institucione.

Ai deklaroi në emisionin “Sonte me Rronin” të mërkurën, se digjitalizimi i dokumenteve dhe të dhënave do ta rriste numrin e investitorëve në vend.

“Qeveria do të duhej të fokusohej në digjitalizimin dhe industrializimin e të dhënave. Digjitalizimi duhet të ndahet në sektorë, e pastaj vjen industrializimi. Kur të vjen ndonjë kompani për investim, do të dijë se sa njerëz ka Dukagjini, sa janë të shkolluar, sa ka ujë, sa ka rrugë, sa minerale, e të gjitha këto duhet t’i bëjmë në digjitalizim. Kjo është pjesa vitale e investimit”, tha ai.

Sipas Partinit, me digjitalizim, shteti do të kursente letra e skanerë, derisa sipas tij, procesi i digjitalizimit, do ta ulte edhe shkallën e korrupsionit.

“Kjo do të mund të në bënte lider në rajon, vetëm kjo qeveri mendoj se do të mund ta bënte digjitalizimin. Digjitalizimi e minimizon mundësinë e korruptimit. Digjitalizimi shkurton rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Deri më tash s’ka ndodhur sepse s’ka qenë dikush që e ka njohur, deri sa është bërë ndërrimi i Qeverisë, s’ka qenë e rëndësishme. Jemi ndër shtetet e vonuara që ka këtë”, deklaroi Partini, që siç tha ai, ka shërbyer disa vite në Suedi për digjitalizim.

Njohësi i procesit shtoi se me digjitalizim, të gjitha të dhënat do të ishin digjitale, nëpërmjet të cilit, çdo funksion do të kryhej brenda pak sekondave.

Ai tha se investitorët e huaj, nuk mund të humbasin kohë pas pas procedurave burokratike për nxjerrjen e dokumenteve, por do të përfundonin punën me efektivitet më të lartë.

“Kur kemi pavarësi të energjisë, vjen digjitalizimi. Ai është i rëndësishëm sepse kompanitë që vijnë këtu, nuk mund të thellohen në këtë lloj administrate që ka Kosova. Nuk kanë kohë të vrapojnë nëpër zyra. Kemi menduar se digjitalizimi është i rëndësishëm për të investuar kompanitë e mëdha”, shtoi Partini.

Ai shtoi se nisur nga përfitimet që Kosova do t’i kishte me digjitalizim, ky proces nuk është i shtrenjtë.

Partini i propozoi Qeverisë që ta sigurojë edhe vegëzën e uebfaqes zyrtare, në mënyrë që siguria kibernetike të jetë më e lartë.

{gallery}