Arbëri

Dhjetëfish më shumë raste aktive me COVID-19 krahasuar me një vit më parë

Të mërkurën janë raportuar 341 të infektuar brenda 24 orëve të fundit me COVID-19, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 1 mijë e 521. E një vit më parë, me këtë datë, nga 2 mijë e 143 mostra të dyshuara, vetëm 10 kishin rezultuar pozitivë. Ndërkaq, numri i rasteve aktive në nivel vendi, për dallim nga tash, ishte 152

Është bërë një javë që numër treshifror i të infektuarve me COVID-19 është raportuar secilën ditë.

Nga 1 mijë e 165 testime, 341 mostra kanë rezultuar pozitive në 24 orët e fundit, ka konfirmuar të mërkurën Ministria e Shëndetësisë. Kësisoj, numri rasteve aktive në Kosovë ka shkuar në 1 mijë e 521.

Por, në raport me numrin e testimeve, të mërkurën ka pasur rreth 5 për qind më pak raste që kanë rezultuar pozitive krahasuar me një ditë më parë. Kjo, pasi rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 ka dyfishuar edhe interesimin e qytetarëve për t’u testuar.

E një vit më parë, me këtë datë, nga 2 mijë e 143 mostra të dyshuara, vetëm dhjetë kishin rezultuar pozitivë me COVID-19. Ndërkaq, numri i rasteve aktive në nivel vendi, për dallim nga tash, ishte 152.

Pas situatës së krijuar me virusin SARS-CoV-2 që ka shkaktuar pandeminë COVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për vaksinim dhe bartje të maskave në ambiente të mbyllura.

“Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Fatmirësisht nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Në vende të ndryshme të botës po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në arsyetimin e thirrjes së IKSHPK-së.

Brenda 24 orëve të fundit janë shëruar 64 pacientë dhe janë vaksinuar 78 persona.

Në Klinikën Infektive në QKUK ishin 10 pacientë të hospitalizuar.

Por infektologia Lindita Ajazaj-Berisha ka treguar se ditëve të fundit është në rritje numri i pacientëve ambulatorë.

“Kjo rritje e numrit të rasteve është pasojë e asaj që ne i harruam masat mbrojtëse edhe faktikisht ne nuk jemi duke i përdorur assesi maskat. Grumbullimet po vazhdojnë, tanimë. Edhe dyndjet e njerëzve, qoftë në pushime apo ardhjet dhe shkuarjet janë faktorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të rasteve, sepse ne e dimë që nëpër regjione ka pasur numër të madh të rasteve”, ka thënë infektologia Ajazaj-Berisha, e cila ka bërë thirrje për vaksinim.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë theksuar se sipas nevojës do të thirret trupi këshillëdhënës për COVID-19, për të shqyrtuar edhe masat e reja.

“Sa i përket rritjes së rasteve, kjo po ndodh në shumë shtete dhe duket që është një valë e re sado që mund të jetë më e butë se valët paraprake, së paku në aspektin klinik të rasteve, dhe ka qenë e pritshme që rastet do të ngrihen edhe në Kosovë, sikurse në rajon dhe më gjerë”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.

E, qytetarët kanë bërë thirrje për kujdes e për vaksinim.

Hajrullah Tërnava ka kërkuar veprim nga institucionet dhe kujdes të shtuar nga qytetarët.

“COVID-19, si çdo sëmundje tjetër, është i padukshëm dhe mund të jetë i pranishëm në çdo hapësirë të kësaj toke. Janë institucionet shëndetësore që duhet me u marrë me të, pra qysh me e parandalu”, ka thënë ai. “Prandaj unë e lus popullin pasi që është tregu e efektshme që ata që kanë marrë vaksinat tash janë më rezistues, prandaj le të shkojnë e le të vaksinohen ata që nuk janë vaksinu dhe le t’i lënë pallavrat”.

Pashkë Desku ka kërkuar rikthim të masave, me qëllimin që të vetëdijesohen qytetarët.

“Na shqiptarët pa na dhënë ndonjë masë, nuk dimë me u vetëdijësue. Frika është evidente. Tekefundit ne të moshuarit nuk kemi nevojë të frikësohemi shumë, sepse ashtu kështu e kemi kryer këtë punë, por rinia duhet të ruhet dhe të ketë kujdes të madh”, ka thënë ai. “Keni parasysh që ende është COVID-i gjallë”.

Rritje të numrit të të infektuarve javëve të fundit ka shënuar edhe Shqipëria e vendet tjera të rajonit dhe Evropës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ditë më parë ka paralajmëruar rritje të rasteve me COVID-19 gjatë verës në Evropë dhe u ka kërkuar anëtarëve të saj të monitorojnë situatën.