Arbëri

Krasniqi: Qeveria obligon gastronomët të shërbejnë ujë, por nuk ndihmon komunat me furnizim të ujit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë se nuk po u ndihmon shumë zonave të Kosovës në sigurimin e ujit të pijshëm.

Gjatë vizitës së zhvilluar të mërkurën në Komunën e Drenasit, ku është pritur nga kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, Krasniqi ka thënë se sikurse kësaj komune, edhe shumë të tjerave u mungon mbështetja e Qeverisë, e cila para dy ditësh mori vendim që t’i obligojë gastronomët t’u shërbejnë ujë nga kroi qytetarëve që pinë kafe.

“Është e domosdoshme që të ndryshojë qasja e kësaj Qeverie karshi Komunave të Kosovës, sepse ato janë dera e parë e qytetarëve tanë. Për të përmirësuar shërbimet dhe mirëqenien e tyre, Qeveria duhet të ndihmojë komunat me mjete shtesë. Ju e patë që kanë projekte tejet të rëndësishme, urat të cilat e lehtësojnë qarkullimin e fëmijëve dhe të gjithë njerëzve. Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, projekt që nuk e ka mbështetur kjo Qeveri. Po ashtu edhe projekti që ndërlidhet me ujësjellësin. Kur jemi te uji, si një nevojë bazike, përderisa Qeveria e Kosovës merr vendime që të obligojë gastronomët që tu shërbejë ujë nga kroi qytetarëve që pinë kafe, në anën tjetër, këtu në Drenas, e njëjta Qeveri, nuk është duke u ndihmuar qytetarëve që të kenë furnizim me ujë të pijshëm. Një pjesë e madhe e fshatrave të kësaj komune e kanë këtë problem në baza ditore”, ka thënë Krasniqi, raportoi EO.

Lideri i PDK-së tha se të gjitha punimet që i ka vizituar në Drenas, janë bërë me buxhetin e komunës. Sipas tij, ky është problemi që evidentohet në çdo komunë, çdo ditë, në secilën vizitë.