Arbëri

Autoritetet serbe tërheqin vendimin për ndalimin e pushimeve të punonjësve në veri

 

Të punësuarit në institucionet në veri të Kosovës, të cilët i marrin pagat nga buxheti i Qeverisë së Serbisë, do të mund t'i shfrytëzojnë pushimet vjetore, është konfirmuar të martën për REL-in.

Më 1 korrik, punëtorët nga sektori i shëndetësisë dhe arsimit, të cilët punojnë në sistemin serb, dëshmuan se kishin marrë një “urdhër verbal” se për shkak të situatës politike, nuk mund t'i shfrytëzojnë pushimet deri në njoftimin e dytë.

Të gjithë bashkëbiseduesit e RSE-së këmbëngulën për anonimitetin nga frika se mos u rrezikoheshin vendet e tyre të punës.

Ndërkohë, më 5 korrik, dy punonjës nga sistemi i shëndetësisë dhe atij të arsimit konfirmuan se iu është thënë se tashmë mund t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore. Punëtorët e arsimit do të jenë të lirë t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore deri më 1 gusht dhe më pas do të duhet të paraqiten në punë.

Drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën Veriore, Zlatan Elek, më 1 dhe 4 korrik nuk ishte i qasshëm për një deklaratë lidhur me pushimet vjetore.

Mirëpo, në një bisedë telefonike të datës 5 korrik, Eleku ka konfirmuar se punëtorët e sistemit shëndetësor mund t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore, ndërsa dëshminë e mëparshme të punonjësve se nuk munden, e ka quajtur “dezinformim”.

E gjithë situata në lidhje me ndalimin e pushimeve vjetore pasoi vendimin e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë për zbatimin e masave reciproke sa i përket dokumenteve personale, si dhe atë për riregjistrimin e veturave me tabela të qyteteve në Kosovë të lëshuar nga autoritetet serbe në targa RKS (Republika e Kosovës).