Arbëri

Janjiq: Frikësimi i popullit para se t’i pranojë vendimet e Kosovës, model i përsëritur i Vuçiqit

Descriptive Text

Deklaratat e përsëritura të krerëve të Serbisë se ka përgatitje të sulmeve nga autoritetet në Kosovë ndaj serbëve në veri e më pas pranim i vendimeve të Kosovës, janë model i përsëritur, sipas Dushan Janjiqit nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në letërnjoftime të Serbisë. Qeveria vendosi që aplikojë të njëjtën masë, sikur Beogradi zyrtar, që nuk pranon letërnjoftimin, por në hyrje kosovarët i pajisë me një letër që zëvendëson dokumentet e identifikimit.

I menjëhershëm qe reagimi i krerëve serbë. Presidenti Aleksandar Vuçiq u shpreh se gjithë kjo është përgatitje për një “Stuhi tjetër”, duke iu referuar aksionit të Kroacisë më 1995, kur ky vend çliroi një pjesë të territorit që mbahej nga forcat serbe. Serbia pretendon se më këtë aksion u vranë qindra serbë e u dëbuan mbi 200 mijë të tjerë.

Sipas Janjiqit, “deklaratat nga presidenti, kryeministrja dhe ministrat e Serbisë se një ‘Stuhi’ dhe sulme tjera po përgatiten nga Kosova, janë duke u përsëritur qe disa herë”.

“Frikësimi, i cili zakonisht pasohet me pranim të vendimeve të marra në Prishtinë, është model i përsëritur”, ka thënë ai, raporton “Danas”.

Sipas tij, ngritja e një çështjeje teknike, në nivelin e një çështjeje politike dhe deklaratat dramatike, janë strategji që shërben për të ruajtur status quonë nga njëra anë dhe për të ndryshuar situatën në terren nga ana tjetër. Janjiq ka thënë se “Vuçiqi ka arritur në atë pikë që askush më nuk beson në thirrjet e tij”. “Nga kjo lojë po del me avantazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili duke e kuptuar se po përfiton nga politika e reciprocitetit, po e zbaton atë”, ka thënë Janjiq.

Analisti serb ka vlerësuar se çmimi i këtyre politikave është shpërndarja e mosbesimit dhe frikës te popujt.

“Nuk po përgatitni atmosferën për dialog, por po përgatitni atmosferën për konflikt të ri”, ka thënë Janjiq.