Arbëri

Qehaja: Digjitalizimi, ndryshimi i madh për ngritje të cilësisë në arsim

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard” ka thënë se digjitalizimi i shkollave është ndryshimi më i madh që do të mund të ndikonte në ngritje të cilësisë në arsim. E ka cilësuar si risinë më të mirë në kuadër të drafstrategjisë për arsimin 2022-2026, që është në diskutim publik.

Sipas tij, pavarësisht sa të mira janë të shkruara janë strategjitë apo ligjet, ato marrin trajtën e duhur vetëm nëse zbatohen si duhet. Ai e ka vlerësuar tejet të rëndësishëm definimin se kush janë përgjegjësit në zbatimin e strategjisë në mënyrë që të mos ngelet pa llogaridhënie e që në fund të përfundojë procesi si i dështuar.

Ka thënë se çfarëdo reforme e propozuar duhet të prekë direkt cilësinë në klasa.

“Digjitalizimi i shkollave është ai ndryshimi i madh që presim ta shohim brenda sistemit. E mira e digjitalizimit të propozuar është që do të ndodhë në disa hapa. Ajo që dokumenti reflekton është se e kupton që jo të gjithë brenda sistemit janë të gatshëm të bëjnë ndryshimin e shpejtë nga të mësuarit tradicional në diçka digjitale. Kjo merr kohë e duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të premten duke shtuar se impakti i digjitalizimit do të vërehet sikur të alokohet buxheti i duhur për të.

“S’mund të ndodhë pa investimet milionëshe. Shkollat duhet të pajisen me qasje në internet e pajisje teknologjike. Në shumicën e shkollave qasja në internet është veç në zyrat e drejtorit. Kosova ka penetrimin më të madh të internetit në rajon, por jo në shërbim të procesit të mirëfilltë. Duhet të ketë digjitalizim jo veç me shpërnda tableta e internet, por që kthehet në cilësinë më të rritur. Besoj që digjitalizimi është ndryshimi më i madh që mund të ndikojë në transparencë më të madhe, në cilësi më të rritur. Ai mësimdhënës që e di që ora e tij është publike dhe e qasshme nga drejtori, nxënësit e prindërit s’besoj që do të shkonte në orë i papërgatitur”, ka thënë tutje Qehaja.

Ai ka komentuar edhe draftligjin për librat shkollorë. Sipas tij, propozimi ofron mundësinë e konkurrencës më të barabartë për të gjithë dhe se u jep hapësirë edhe njerëzve që s’kanë lidhje me shtëpi botuese të aplikojë për shkrime. Ka thënë se aktualisht librat shkollorë zhvillohen në procedurë tejet të shpejtë.

Sipas Qehajës, shumë probleme në arsim janë “banale për shkak të neglizhencës që nga mësimdhënia, udhëheqja e shkollave e deri te politikbërja”.

“Ndryshimi i vërtetë është nëse instalojmë mekanizma llogaridhënëse e përgjegjës”, ka thënë ai.

Ka shtuar se Kosova më s’ka kohë për të humbur për reforma.

“S’kemi kohë të presim objektiva që zbatohen gjatë viteve dhe aktivitete në kohë, por me rëndësi të prekim 3-4 reforma përbrenda sistemit që sjellin atë ndryshimin në klasë. S’kemi kohë për të humbur më sepse kthehet në kohë të humbur për nxënësit”, ka deklaruar Qehaja.

Ka thënë se element kyç për avancim të arsimit në vend është standardizimi i vlerësimit.