Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar të rëndësishëm dhe e mbështet procesin e vettingut në drejtësi, ka thënë kjo parti pas takimit që ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, pati me kryeministrin Albin Kurti.
Megjithatë, kjo parti ka thënë se s’ka besim që procesi do të ketë sukses pa konensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe pa përfilljen në përpikëri të qëndrimeve të Komisionit të Venecias.
Kurti ka pritur qe dy ditë partitë opozitare për të arritur konsensusin për procesin e vettingut. Të mërkurën ai u takua me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, ndërsa LDK-ja u shpreh se do ta thotë fjalën e saj në Kuvend.
Qeveria ka synuar vetting të plotë në vend, por Komisioni i Venecias rekomandoi që ndryshim kushtetues të konsiderohet vetëm për verifikim të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, që për procesin e vettingut kanë pasur përplasje me nivelin politik.