Arbëri

Zymi: Prishtina asnjëherë s’ka pasur kryetar me vizion

Aktivistja Flutra Zymi deklaroi se tash e 50 vjet, Prishtina nuk ka pasur kryetar komune me vizion afatshkurtër, afatmesëm ose afatgjatë.

Sipas saj, qyteti i Prishtinës nuk është i zhvilluar mjaftueshëm dhe mungojnë edhe kushtet esenciale për banim.

“Nuk kam parë kryetar që e ka kryer mandatin dhe ka pasur ndonjë vizion afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Tash e 50 vjet kemi mungesë të këtyre kryetarëve. Nëse jetojmë sot në Prishtinë, ndalemi dhe mendojmë se në çka është zhvilluar. Në aspektin kulturor fare, problemin e parë e kemi që nuk kemi kryetar me vizion në shërbim të qytetarit. Për mua, problematika më e madhe është brenda komunës. Kemi kapacitete të vogla njerëzore. Nuk kemi zyrtarë profesionistë, kemi zyrtarë dembelë, manipulues. Askush s’po merret nga brenda. Në drejtorinë e parqeve kemi një person, në të kaluarën ka qenë një drejtoreshë dhe një asistent me gjysmë orari”, deklaroi Zymi në “Sonte me Rronin” të mërkurën.

Ajo shtoi se Prishtinës i mungojnë trotuaret, ndriçimi e mirëmbajtja e parqeve, ndërsa për të, qentë endacakë janë problematikë e anashkaluar.

“Si qytetarë, shumë pak ankohemi. Kemi ardhur në një gjendje që ata (të komunës v.j.) nuk marrin vesh . Ose duhet t’i padisësh, ose të protestosh derisa na i plotësojnë kushtet esenciale. Mua më pengon që merremi me imazhin, por realiteti është që nuk kemi trotuar, nuk kemi ndriçim në shumicën e madhe të qytetit, kemi qen endacakë, nuk kemi siguri”, shtoi tutje aktivistja Zymi.

Problematike për të është edhe mosregjistrimi i popullsisë, pasi nëpërmjet statistikave siç u shpreh ajo, mund të bëhen analiza e planifikime për investime dhe rregullim të jetesës.