Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë të gjitha masat për menaxhimin e situatës së sigurisë para, gjatë dhe pas manifestimit të “Vidovdanit”.
“Sikurse vitet e kaluara edhe këtë vit me qëllim që ky manifestim të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë disa masa dhe objektiva strategjike”, ka njoftuar Policia.
Do të ketë forca të shtuara të sigurisë, do të garantohet lëvizja e lirë për gjithë pjesëmarrësit, do të ketë kontrollim dhe menaxhim të rrjedhës së trafikut në gjitha rrugët magjistrale, rajonale e lokale.
“Angazhimi i njësiteve policore për ri-orientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie, përgjatë kohës së mbajtjes së manifestimit, duke filluar në Graçanicë në orët e mëngjesit dhe pastaj në Gazimestan në mesditë deri në përfundim. Përcjellja dhe sigurimi i eskortave dhe grupeve të veçanta sipas itinerarit”, thuhet nga Policia.
Policia ka shtuar se qytetarët do të njoftohen përmes fletushkave informuese në dy gjuhët me udhëzimet dhe mbarëvajtjen e manifestimit.
“Njëkohësisht Policia kërkon mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik me rastin e ndërprerjes së përkohshme të rrugëve apo korsive përgjatë mbarëvajtjes së festës së Vidovdanit, mundësisht të përdoren rrugë apo lokacione alternative për qarkullim dhe lëvizje të lirë në trafik”, thuhet nga Policia.