Arbëri

Faturat e papaguara të energjisë – problem për serbët e veriut

Foto: Driton Paçarada

Kompania serbe “Elektrosever”, në pajtim me ujdinë e arritur në Bruksel, ka marrë licencën për furnizim me rrymë të katër komunave me shumicë serbe. Ndonëse çmimi i rrymës që furnizohet prej saj nuk është i rregulluar, kryetari i bordit të ZRRE-së ka thënë se ai nuk mund të jetë më i ulët se çmimi i tregut. Ani që nuk e kundërshtojnë pagesën e rrymës që shpenzojnë, banorët e katër komunave me shumicë serbe, sipas redaktores së portalit “Kossev”, kanë telashe se çfarë do të ndodhë me faturat e papaguara deri më tani

Banorët e katër komunave me shumicë serbe, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut nuk kanë përgjigje se çfarë do të ndodhë me faturat e papaguara të rrymës. Me energji, këto komuna do të furnizohen nga kompania serbe “Elekstrosever”, kompani e licencuar një ditë më parë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Tatjana Lazareviq, redaktore e portalit “Kossev”, me seli në veri të Mitrovicës, ka thënë se banorët e katër komunave nuk e kanë problem ta paguajnë rrymën që do ta shpenzojnë tash e tutje, por kanë një tjetër hall. “Problem i madh për qytetarët nuk është nëse ata do të paguajnë, apo jo. Ata janë të gatshëm të paguajnë, por problemi është se çfarë do të ndodhë me faturat e mëparshme”, ka thënë ajo.

Duke iu referuar marrëveshjes për energjinë, të arritur këtë javë, ajo ka thënë se që të dyja palët kanë qenë të detyruara që të bëjnë disa lëvizje në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 2013 e 2015. Sipas saj, Kosova është detyruar që ta licencojë kompaninë serbe në mënyrë që të mos paguajë edhe më tej për rrymën e shpenzuar në veri.

“Nëse Prishtina do ta arrinte këtë marrëveshje deri në fund të vitit, Qeveria e Albin Kurtit do të ishte në telashe të mëdha. Kështu që ata ishin të detyruar që të pranojnë këtë udhërrëfyes për licencimin, që të shmangin humbjet e mëdha në buxhetin e Kosovës e krizën energjetike”, ka thënë ajo.

Serbia, sipas Lazareviq, është pajtuar që kompania të bëjë vetëm furnizimin me energji, pas presionit nga BE-ja, që lidhet edhe me qasjen ndaj luftës në Ukrainë.

“Në anën e Beogradit, jam e sigurt, se ishte në interes që të bëjë lëvizje të re. Janë përballur me presion të madh lidhur me luftën në Ukrainë. Ata është dashur që të heqin dorë nga diçka, që është të zbatojnë marrëveshjen disi”, ka vlerësuar Lazareviq.

Lidhur me borxhin që banorët e katër komunave ia kanë Kosovës, përgjigje nuk kanë dhënë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Kompania serbe “Elektrosever” do t’i furnizojë konsumatorët me rrymë, çmimi i së cilës nuk është i rregulluar. Kryetari i bordit të ZRRE-së ka thënë se ato nuk mund të jenë më të ulëta se çmimet e tregut.

“Ligjërisht këta nuk kanë të drejtë të përcaktojnë çmime që janë nën koston e furnizimit apo të shkaktojnë prishje të tregut të furnizimit me energji elektrike në Kosovë. Në rast se kemi kësi gjetjeje, ZRRE-ja ka për obligim që të monitorojë tregun nëse ka gjetje që kemi prishje të tregut, të nisë hetimi, të njoftojnë Komisionin e konkurrencës...”, ka thënë Ymer Fejzullahu, të premten mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së.

Por, pavarësisht çmimit që do të ofrojë, kjo kompani ka të drejtë të furnizojë me energji vetëm banorët e katër komunave me shumicë serbe. Sipas një përgjigjeje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, licenca që i është dhënë “Elektroseverit” “është në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel”.

“‘Elektroseveri’ ka licencë me territor të kufizuar, që do të thotë vetëm për katër komunat, sipas licencës që i është dhënë, lejohet furnizimi vetëm i katër komunave, kurse të licencuarit e tjerë nuk kanë kufizim të territorit në licencat e tyre”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të ZRRE-së, Petrit Pepaj.

Licencimi i kompanisë “Elektrosever” është bërë vetëm pasi në Bruksel, Kosova dhe Serbia u dakorduan për një udhërrëfyes që garanton zbatimin e marrëveshjeve për energjinë, të arritura më 2013 dhe 2015. Sipas saj, nga kjo kompani me rrymë në pesë vjetët e ardhshme do të furnizohen banorët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut.

“Elektroseverit” të premten Zyra e Rregullatorit për Energji ia ka miratuar kërkesën për licencim, për furnizim të veriut me energji elektrike. Ndërsa kërkesën tjetër të kësaj kompanie që i ishte drejtuar ZRRE-së për licencim për distribuim, ZRRE-ja e ka refuzuar dhe kësisoj distribuimin do të vazhdojë ta kryejë KEDS-i, si operatori i vetëm i licencuar për shpërndarje në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas udhërrëfyesit nëntë pikësh, për implementimin e marrëveshjes për energjinë, thuhet se brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, “Elektroseveri” do t’i nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike. Gjithashtu në këtë udhërrëfyes thuhet se nëse brenda 100 ditëve “Elektrosever” nuk e respekton marrëveshjen, ZRRE-ja mund t’ia marrë licencën. Kërkesën për të marrë licencë “Elektrosever” e ka bërë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë qysh në dhjetor të 2020-s.