Koordinatori në Lëvizjen Fol, Erblin Hoxha, deklaroi se vonesa e liberalizimit të vizave për Kosovën do të ndikojë në rritjen e mosbesimit të qytetarëve kosovarë dhe të politikanëve në institucionet e Bashkimit Evropian.
Hoxha tha në “60 Minuta” të enjten, se BE-ja nuk ka më arsyetime për mosliberalizimin e vizave, derisa shtoi se ky proces e ka ngufatur Kosovën.
“Çështja e liberalizimit është politike dhe mund të ndërrojë nga momenti në moment. Në aspektin e përfitimeve, Kosova do të përfitonte ekonomikisht dhe politikisht. Liberalizimi nuk të jep të drejt pune, s’ke përfitim financiar por nëse ke biznes nuk të duhet të shkosh në ambasada për t’u takuar me dikë. Kjo do të bënte një lidhshmëri më të madhe, liri bazike. Udhëtimi i biznesit kosovar jashtë do të kishte implikime ekonomike. Mosliberalizimi e ka ngufatur politikën e brendshme. Nëse do të kryhej, kjo do të hiqej nga agjenda”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, liberalizimi i vizave duhet të përfundojë këtë vit, që në janarin e 2023-s, qytetarët lëvizjen e lirë ta bëjnë në praktikë.
“Në të kundërtën, kjo cenon haptas aspiratën e Kosovës drejt BE-së. Zvarritja e liberalizimit mund të ndikojë edhe në dialog. 2023-a duhet ta sjellë liberalizimin ose besimi në ndërmjetësimin e BE-së në dialog mund të dëmtohet shumë”, shtoi ai.
Sipas koordinatorit të Fol-it, vendet hezituese ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit, kanë zbutur qëndrimin e tyre. Sipas tij, rrezik i vetëm mund të jenë partitë e djathta ekstreme në Parlamentin e Francës që në zgjedhjet e fundit fituan afro 100 ulëse.
“Rreziku është që partitë parlamentare të djathta ekstreme, që janë kundër zgjerimit të BE-së, kanë marrë një numër të madh votash. Vendimi i Francës do të varet nga diasponimi i partive parlamentare djathtiste”.
Për çështjen e aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat drejt BE-së, Hoxha tha se është pozitiv, mirëpo sipas tij, do të duhet të binden 5 shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Është problematike kandidatura për anëtarësim në BE. Janë 5 shtete që nuk të pranojnë që ekziston si shtet. Kemi vende si Spanja që nuk pranojnë asgjë, kemi dallime mes 5 vendeve të BE-së. Kosova mund ta bëjë aplikimin, por procesi për anëtarësim do të zgjasë me dekada”, theksoi Hoxha.
Për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, Hoxha deklaroi se është “një mishmash, pasi ka paqartësi të mëdha që nga fillimi”.
“Problemi i parë është se si do të përfaqësohet Kosova nëse bëhet pjesë e këtij procesi. Serbia, si iniciuese, e sheh Kosovën brenda territorit të vet. Është problem praktik që nuk ka dhënë asnjë zgjidhje dhe s’i kemi elementet specifike të zhvillimeve brenda tij”, shtoi ai.