Njohësi i çështjeve të ambientalizmit, Luan Shllaku, deklaroi se një nga mundësitë eventuale të Kosovës për zhvillim energjetik është përdorimi i gazit, për dallim nga qymyri që aktualisht përdoret në masë të madhe.
Shllaku deklaroi në “Sonte me Rronin” të mërkurën, se vite më parë, Kosova ka prodhuar gaz dhe këtë sipas tij, shumë pak njerëz e dinë, përfshirë edhe politikanët.
“Kosova dikur ka prodhuar gaz. Që nga 1970-a deri më 1988, Kosova ka pasur impiantin e gazifikimit të thëngjillit, pra e kemi prodhuar gazin nga thëngjilli. Quhet sintetik për nga teoria, është identik me gazin e zakonshëm. Kosova ka pasur kapacitet të prodhojë seriozisht gaz, 500 milionë metra kub gaz në vit në kushte normale”, deklaroi Shllaku.
Ai tha se impiantet kanë qenë në qytetin e Obiliqit, pranë hapësirave ku sot prodhohet energjia elektrike nëpërmjet thëngjillit.
Sipas tij, kapaciteti i prodhimit të gazit në vitet e 1970-a ishte aq i madh saqë e mbulonte tërë Kosovën.
“Infrastruktura i zë 32 hektarë tokë, të mbushura me stabilimente teknike. Mjetet ta mundësojnë të prodhosh gaz, i ke edhe kolonat dhe impiantet që janë pas tymtarëve. Asnjë politikan kurrë s’i ka përmendur. Ne kemi injoruar një fakt që do të duhej të jetë një mundësi e rishqyrtuar, sidomos me krizën e tashme. Gazi mund të na del me shumë leverdi”, tha ai.
Sipas tij, ndonëse Kosova ka kapacitet për prodhim të gazit, ky proces është i vonuar. Ai potencoi se gazi shkakton 50 për qind më pak ndotje të ambientit sesa të gjitha lëndët e tjera djegëse.
“Qymyri kur të vjen, mund të përdoret si karburant që ia marrim vlerën kalorike, por ai e ka një përmbajtje kimike që bazë të fortë e ka karbonin. Karboni përdoret edhe te plehu kimik siç njihet. Gazifikimi e merr qymyrin, e shndërron në gaz, gazin në amoniak, amoniakun në acid nitrik dhe arrin te Nagu (plehu kimik v.j.)”, shtoi ai.
Sipas Shllakut, në vitet e 70-ta, Kosova ka qenë ndër shtetet e pakta në botë që e ka prodhuar gazin në mënyrë masive për mbulim të tërësishëm.
I pyetur për Draftin e Strategjisë së Energjisë për vitet 2022-2031, të publikuar nga Qeveria e Kosovës, Shllaku tha se në të nuk ka “pothuajse asgjë të re” dhe sipas tij, djegia e qymyrit, bazuar në dokument, do të vazhdojë të përdoret.
“E rëndësishme është që nga kjo strategji të dihet se a do të digjet qymyr apo jo. Kjo strategji nuk sjell impiant të ri, aty nuk e pashë që shkruhej se nuk do të digjej qymyr. Në këtë strategji bëhet një gabim kur nuk llogaritet gazi si mundësi. Në kohën kur gazi ka filluar të shihet ndryshe nga Evropa Perëndimore, kur thotë që gazi të jetë karburant tranzitor deri në vitin 2050, ne po e refuzojmë. Strategjia e përmend gazin, por thotë se në të ardhmen do të bëjmë një masterplan”, tha tutje ai.
Shllaku: Qe 20 vjet nuk ka inxhinierë të rinj të elektroteknikës
Luan Shllaku, njohës i çështjeve të ambientalizmit, ka thënë se pavarësisht projekteve që mund të ketë në Kosovë për zhvillim në fushën e termoenergjetikës, nuk ka staf që punon për to.
Ai ka thënë se nuk ka kuadro për elektroteknikë dhe se që 20 vjet, sipas tij, nuk ka pasur nxënës që kanë konkurruar në këtë drejtim.
“Ne mund t’i gjejmë paratë të ndërtojmë impiant më modern, por nëse nuk kemi njerëz të punojmë, e bënë të pamundur operimin. Duhet të shohim ku jemi, nëse duam të vazhdojmë me termoenergjetikë, kush do të punojë. Një pjesë e stafit që gjenden në Kosova A dhe B janë duke u pensionuar dhe nuk po shoh që një staf i ri po vjen. Ai staf që duhet t’i ndërtojë konceptet zhvillimore të reja që janë inxhinierë të ri të elektroteknikës nuk ka, që 20 vjet nuk konkurrojnë në elektroteknikë”, ka thënë ai.
Shllaku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë për gjenerimin e energjisë elektrike. Tha se të dyja shtetet kanë potencial shumë të madh që në bashkëpunim të mund të gjenerojnë rrymë.
“Me Shqipërinë jemi kompatibil, ata janë në krizë verës kur ata nuk kanë ujë të mjaftueshëm, ne dimrit kemi kriza të mihjes, djegies. Përkundër këtij këmbimi që duhet ta avancojmë, akoma importojmë 20% dhe ata importojnë 20%, pra jemi të mangët për gjenerim. Nuk kemi qare pa e pasë një bashkëpunim me Shqipërinë drejt gjenerimit të përbashkët. Shqipëria ka potencial ujor marramendës, ne jemi e kundërta, vendi më i thatë në Evropë. Këtu duhet të shihet një kompatibilitet që na duhet ta kemi një potencial gjenerues të madh dhe ky bëhet me Shqipërinë”, tha ai.
Bashkëpunimi për gjenerim tha se nuk po i bie në mend askujt që ta bëjnë.
“Pengesa është se nuk po i bie askujt në mend. Na duhet burime të reja energjetike”.
Shllaku tha se rikonstruktimi i termocentraleve në Kosovë i kthen në fuqinë që e kanë pasur fillimisht dhe që të punojë edhe për 10 vjet të ardhshme. Ai tregoi se në Termocentralin A ku janë pesë blloqe, i pari është ndërtuar në vitin 1962 me të tjerët pak më vonë dhe si të tillë janë të stërvjetër për të funksionuar siç duhet.
“Jeta teknologjike e një termocentrali është 40 vjet. Ne, diçka që e ka kalu jetën teknologjike për 20 vjet dhe dikë për 15 vjet, duam t’i kthejmë në punë dhe do t’i quajmë të rinovuar”, shtoi ai.
Shllaku: Rreth 470 vdekje në vit si pasojë e ndotjes nga termocentralet Kosova A dhe B
Njohësi i çështjeve mjedisore, Luan Shllaku, ka thënë se rreth 470 persona vdesin në vit si pasojë e sëmundjeve që vijnë nga ndotja e termocentraleve Kosova A dhe B.
I ftuar të mërkurën në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, Shllaku ka thënë se ky raport është nxjerrë bashkë me Institutin “Musine Kokalari”, ndërsa prek njerëzit nga zona e ndikimit të termocentraleve.
“Ndotja që ndodhë nga termocentrali Kosova A dhe B godet më shumë njerëz. Para pak kohësh, Instituti ‘Musine Kokalari’ bashkë me ne, e zhvilluam idenë se sa njerëz vdesin nga kjo zonë e ndikimit të termocentraleve, na doli një numër diku rreth 470 persona në vjet vdesin nga kancerët”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se me strategjinë e krijuar nga Evropa, tentohet që të shpëtohet globi prej industrializimit pasi krizë e madhe klimatike pritet të ndodhë në botë pas vitit 2050.
Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt thëngjilli nuk do të jetë karburanti më i lirë që mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike, do të jetë më i shtrenjti për shkak taksave të karbonit.
“Ne duhet të përgatitemi, Qeveria thotë se e kemi parasysh. Për një periudhë tranzitore u mundësohet shteteve të përgatiten. Kjo strategji shumë mirë flet për këto obligime. Pas rikonstruimit të Kosovës B1 dhe B2, do të kemi potencial të djegim më shumë thëngjill, më shumë thëngjill i djegur do të thotë më shumë CO2, më shumë CO2 do të thotë më shumë taksa, më shumë taksa na kthehet prapa nëpërmjet KW që e paguajmë në shtëpitë tona”, ka thënë ai.