8 perditesime
16:01

Nuk ka kuorum, shtyhet shqyrtimi i tërheqjes nga Trusti

Në mungesë kuorumi, seanca e së mërkurës në të cilën ishte paraparë shqyrtimi i tërheqjes nga Trusti e mbajtur të mërkurën është shtyrë për të enjten. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se seanca do të nisë të enjten në orën 10:00.

Nga seanca e dytë e së mërkurës për shkak të mungesës së kuorumit nuk u shqyrtua asnjë pikë e rendit të ditës, me përjashtim të asaj për akcizën në produktet e duhanit.

13:16

Kurti: Me Malin e Zi do të formohet komisioni për rishikim të vijës kufitare

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj e ka pyetur Qeverinë nëse e ka një plan për të formuar komisionin e ekspertëve për rishikim të vijës kufitare me Malin e Zi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se së bashku me Qeverinë e Malit të Zi do të formohet komisioni i përbashkët.

Sipas tij, komisioni do të formohet nga ekspertë të fushës.

“Normalisht për palën e Kosovës dokumentet janë të qarta. Me rëndësi për ne është qe e rëndësishme është që presidenti Gjukanoviq ka shprehur gatishmëri për korrigjim. Ne jemi gati por e presim edhe Qeverinë e Malit të Zi derisa ta formojë ekipin”, ka thënë ai.

12:48

Vlora Dumoshi i dhuron vezë kabinetit qeveritar: Nuk jam si ju t’ju gjuaj

Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, i ka dhuruar vezë kabinetit qeveritar të pranishëm në seancën e Kuvendit të mërkurën.

“Unë nuk po ju gjuaj me vezë, as nuk po ju quaj tradhtarë. Po iu quaj mashtrues dhe po iu pyes a turpëroheni”, ka thënë Dumoshi, duke iu referuar veprimeve të Vetëvendosjes sa ishin në opozitë, kur Isa Mustafa e kishte nënshkruar marrëveshjen për energjinë me Serbinë, e cila nuk u implementua.

Marrëveshje të ngjashme nënshkroi dje Qeveria Kurti.


Haxhiu-Kurtit: Ne sot nuk të gjuajtëm me vezë si ti Isa Mustafën

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvend si opozitë dikur kishte premtuar nacionalizim të KEDS-it.

Haxhiu ka thënë se ata nuk e kanë gjuajtur me vezë Kurtin siç kishte bërë Vetëvendosja dikur me ish-kryeministrin Isa Mustafa.

“Kryeministri nga kjo foltore atëherë premtonte se kur vjen pushtet do ta nacionalizonte KEDS-in. Kemi parë disa nacionalizime të terminaleve doganore, e së fundi edhe mbylljen e terminalit në Podujevë ku kanë mbetur pa punë 100 punëtorë. Vazhdo me një logjikë të tillë të nacionalizimit edhe në KEDS. Nuk gjuajtëm me vezë si ju Isa Mustafën, por ta argumentuam se çfarë ke bërë me këtë marrëveshje. Po kërkoj po ashtu vëmendje nga ju për punonjësit shëndetësor. Brenda një muaji i kanë pasur tri protesta”, tha Haxhiu në Kuvend.

12:30

Abdixhiku: Kurti të vendosë nëse marrëveshja për energji është e mirë apo jo

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të sqarojë nëse marrëveshja për energji është e mirë apo jo.

Ai ka thënë se nëse marrëveshja nuk është e mirë, atëherë duhet të flitet për legalizimin e Serbisë në veri.

“Marrëveshja ose është e mirë, ose jo. Ose është meritë e jotja ose e keni të trashëguar. Dalja nga roli politik po bëhet e zakonshme për ju kryeministër. Mikullovci në vitin 2017 kishte cituar Shkrelin ‘nëse takohemi me veten sy më sy a do të ishim puthë apo kishim për tu pështy;. Si do të vepronte Albin Kurti i 2015-s para këtij Albin Kurtit sot”, ka thënë ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka thënë Kurtit t’i kursejë deputetët nga elozhetë.

“Ajo që ju kisha lut si kryetar i LVV-së na kurseni prej elozheve pse tash dhe pse veç tash po paguajnë serbët. Ndali kapak ata që po thirren në emër të subjektit tuaj”, ka thënë ai.

12:25

Kurti përplaset me opozitën: Po të isha më herët, s’do të kishte KEDS e KESCO

Image

Kryeminstri Albin Kurti u është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me marrëveshjen për energjinë me Serbinë, duke thënë se ishte një problem i trashëguar nga qeveritë paraprake.

“Katër komunat në veri do të kalojnë në rend të rregullt për pagesa të konsumit energjetik. Nuk janë të mira marrëveshjet më 2013 e 2015. Por ato i trashëguam dhe i gjetëm aty. I gjeta 38 komuna. Po të pyetesha unë, nuk do t’i kishim 38. Po të isha më herët kryeministër, KEDS dhe KESCO s’do të kishte. Që u shndërruan nga monopol publik në privat. Ka një mori gjërash që nuk i bëj me vullnet e dëshirë, por nga nevoja dhe përgjegjësia. Gjendja në terren është shumë më e keqe se ato marrëveshje. E bëj minimumin e pranimit të realitetit, për maksimumin e ndryshimit të realitetin”, ka thënë Kurti.

Fjalimit të Kurtit i reagoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili u shpreh se për një marrëveshje të tillë, kryeministri kishte shkrumbuar institucionet.

Por Kurti u kundërpërgjigj me ironi: “KESCO-n nuk ua solla unë, atë e gjet këtu mes jush”.


Haradinaj-Konjufcës: Rrahman Morina, na jep fjalën

Teksa kryeparlamentari Glauk Konjufca po thoshte se deputetja Ganimete Musliu është e fundit në deklarimet jashtë rendit të ditës, Ramush Haradinaj reagoi nga karrigia duke iu drejtuar Konjufcës me fjalët: “Rrahman Morina, na e jep edhe neve fjalën”.

UDB-ja apo Drejtoria e Sigurimit të Shtetit të atëhershëm është përgjegjëse për shumë vrasje e maltretime të shqiptarëve.

Rrahman Morina ishte pjesë e sistemit të atëhershëm serb deri në vrasjen e tij më 1990 dhe nga Beogradi shihej si udhëheqës i Kosovës.

12:00

Tahiri-Kurtit: Si mund ta përkrahim marrëveshjen për energjinë kur ju e keni quajtur legalizim të Serbisë

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar partinë në pushtet për mosvotimin e rezolutës për sigurinë në vend.

Ai ka thënë se si mund ta mbështesin një marrëveshje me Serbinë për të cilën Vetëvendosje pati thënë se është legalizim i Serbisë në Kosovë.

“Kërkesa jonë është që ju pasi po i ndryshoni qëndrimet është që të ndryshoni qëndrime në disa pika që e prekin qytetarin drejtpërdrejtë: Ka një vit e gjysmë që po e shtyni Ligjin e Pagave, silleni ligjin e pagave. Hiqeni akcizën në naftë. Presim nga ju të reflektoni mbi situatën e rëndë në ekonomi”, ka thënë ai.

 

11:56

Zemaj: Edhe pse çmimet janë rritur, Qeveria krenohet për rritje ekonomike

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga muaji maj i vitit të kaluar çmimi i produkteve të konsumit është rritur për 12.5 për qind.

Ai ka thënë se në krejt këtë situatë qeveria del dhe krenohet që i ka rritur të hyrat buxhetore në kurriz të qytetarëve.

“Qeveria me ZRRE-në e ka ngritur çmimin e energjisë. Qeveria e Kosovës dhe ministri i financave me këtë injorim që po u bën e qytetarëve i ka mbështetur për muri. Qeveria t’i marrë parasysh këto masa. Reduktimin e akcizës për naftë, zgjerimin e listës për produktet me normë të reduktuar të TVSH-së. Indeksimin e pagave, rritjen e subvencioneve në bujqësi”, ka thënë ai.

10:48

S’kalon rezoluta e AAK-së për sigurinë në vend

Rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës rreth situatës së sigurisë në vend nuk ka marrë votat e mjaftueshme në seancën e së mërkurës të Kuvendit.

Rezoluta, për të cilen është mbajtur debati parlamentar në maj, mori 25 vota pro dhe 50 abstenime.

Tri pika të rendit të ditës nuk u shqyrtuan për shkak se duhej edhe votimi i komuniteteve, ndërsa në seancë s’po merr pjesë Lista Serbe.

07:43

Mblidhet Kuvendi, në rend dite tërheqja nga Trusti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e mërkurë) në dy seanca plenare. Në të parën që nis në ora 10:00 janë të planifikuara 5 pika të rendit të dytës, ndërsa e dyta nis në ora 11:00 me 20 pika të rendit të ditës. Pika e tetë e seancës së dytë është ajo që ka nxitur debat qe një kohë. Aty është paraparë shqyrtimi i parë i Projektligjit që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Partitë opozitare sërish kanë apeluar Lëvizjen Vetëvendosje që të votojnë “pro” tërheqjes së mjeteve të Trustit. Por, partia që udhëheq e vetme dhe ka numrin me të madh të deputetëve është shprehur kundër miratimit të këtij projektligji.

Partia Demokratike e Kosovës, si sponsorizuese e këtij projektligji, ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t'i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët nga fillimviti 2020 po përballen me krizën financiare.

Për të lejuar tërheqjen e mjeteve të Trustit janë organizuar edhe protesta.

Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.

Shqyrtimi i këtij projektligji ishte paraparë javën e shkuar, por seanca nuk u zhvillua për shkak të protestave të veteranëve kundër ligjit për pagën minimale.