Drejtori i Bordit të Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Jeton Mehmeti, ka thënë se marrëveshja e së martës do t’ia kursejë Kosovës mbi 100 milionë euro kosto të parashikuara për pjesën e dytë të vitit 2022.
Në Bruksel, Kosova dhe Serbia të martën miratuan udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjeve të energjisë në veri të Kosovës. Dy shtetet miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri. Marrëveshje ishte arritur qysh më 2013, por s’ishte zbatuar. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë. Me marrëveshje parashihet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të lëshojë licencë furnizimi te “Elektroseveri”, i cili do të merret me operimin në katër komunat në veri.
Sipas Mehmetit, vetëm sivjet deri në prill kosto e energjisë së konsumuar dhe e papaguar në katër komunat e veriut ishte 25 milionë euro. Ai ka thënë se ekziston rreziku i shtrenjtimit të mëtejmë të energjisë dhe kjo nuk lejon komoditet që edhe dimrin e ardhshëm të paguhet rryma për qytetarët në veri.
“Çmimi i energjisë sot më 21.06.22 në bursat ndërkombëtare ishte rreth 300 euro për MWh. Jemi në sezonin veror me vazhdimin e krizës për energji gjatë muajve të ftohtë ky çmim mund të ngrihet mbi 500% (vitin e kaluar nga 50 euro MWh arriti deri në 700 euro MWh). Pra nuk e kemi komoditetin të futemi në dimër me veriun në shpatullat e buxhetit të Republikës së Kosovës apo të cilësdo ndërmarrje publike. Mos respektimi i marrëveshjes tërhiqet licenca!” ka shkruar ai në Facebook.
Afro 120 milionë euro janë shpenzuar që nga viti 2012 për energjinë e shpenzuar nga qytetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe. Por ekzekutivi ka shfaqur shpresën që brenda vitit të fillojë me arkëtimin e mjeteve, pas arritjes së pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për energjinë që ishte nënshkruar në vitin 2013.